E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë sqaron se nuk ekziston asnjë sindikatë për Policinë e Burgjeve

“Valentin Macaj, një mashtrues i shkarkuar nga puna te Burgjet për abuzime me detyrën”

TIRANE – Valentin Macaj, i prezantuar dy ditë më parë si kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, nuk është asgjë më shumë se një mashtrues, i papunë. Jo vetëm kaq, por sindikata e pretenduar se drejtohet prej tij, nuk ka asnjë anëtar. I vetëshpalluri si kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore, është denoncuar dje si mashtrues nga Ministria e Drejtësisë. “Konfederata e Shërbimeve Policore nuk përfaqëson interesat e punonjësve të Drejtorisë të Policisë së Burgjeve pasi në përbërje të saj nuk është antarësuar asnjë punonjës i kësaj Drejtorie dhe aq më tepër asnjë punonjës tjetër i administratës publike”, sqaroi dje Ministria e Drejtësisë, “statusin” e pretenduar të Sindikatës së Shërbimeve Policore. 

Më tej, në një njoftim zyrtar të sajin, Ministria e Drejtësisë, denonconte Valentin Macajn, si një persona, që nuk ka asnjë lidhje me këtë ministri dhe se është shkarkuar nga drejtoria e policisë së Burgjeve për shkelje të shumta dhe thyerje të rregullave disiplinore. “Individët e shfaqur dje në deklaratën për shtyp janë persona të cilët janë shkarkuar nga funksionet e tyre në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, për shkak të shkeljeve të shumta të kryera si dhe të thyerjes së rregullave disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Imazhi që kjo Konfederatë është përpjekur të japi në media, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së saj në mbrojtjen të interesave të punonjësve të policisë”, sqaronte Ministria e Drejtësisë.

Sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë, u bë pas mashtrimit publik të të papunit Valentin Macaj, i cili dy ditë më parë, doli publikisht, duke pretenduar se drejtonte Konfederatën e Shërbimeve Policore, përfshirë policinë e burgjeve dhe midis të tjerave kërkoi dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani pas tragjedisë së Durrësit, ku mbetën të vrarë katër efektivë të policisë së shtetit,

Ndërkohë, që menjëherë pas deklaratës së mashtruesit Valentin Pacaj, reagoi Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, e cila denoncoi mashtrimin e kreut të pretenduar të Sindikatës së Shërbimeve Policore.

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, bëri të ditur nëpërmjet një deklarate zyrtare se, “duke marrë shkas nga deklaratat e Sindikatës së Shërbimeve Policore, sqarojmë se ajo nuk është pjesë e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Ajo është pjesë e Konfederatës së Sindikatave dhe jo pjesë e Sindikatës sonë dhe ajo nuk përfaqëson punonjësit e Policisë së Shtetit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›