E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq pushton Korçën dhe Gjirokastrën

Dëbora ka krijuar probleme në qarkullim në të gjithë zonën. Nis hedhja e skorjeve. Në Korçë izolohen 5 fshatra

Moti i keq i shoqëruar me temperatura të ulëta vazhdon të mbajë mbërthyer prej më shumë se 48 orësh rajonin juglindor të vendit. Rrugë të bllokuara nga dëbora, temperatura të ulëta -4 gradë celsius si dhe probleme në qarkullimin e mjeteve kanë qenë gjithçka ka ndodhur gjatë të shtunës në qarkun e Korçës. Sipas të dhënave zyrtare të Shtabit të Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit gjatë kësaj dite e gjithë puna është përqendruar në segmentin Korçë-Kolonjë në Qafën e Qarrit, në segmentin tjetër nacional Korçë-Kapshticë si dhe në atë Korçë-Pogradec që është dhe më problematiku njëherësh, për shkak se kjo rrugë prej më shumë se një viti është në rikonstruksion. Kështu situata mjaft serioze vazhdon të jetë prezente në aksin Korçë-Pogradec në Qafë-Plloçë, ku gati 10 kilometra të kësaj rruge janë tejet të rënduara, teksa trashësia e dëborës ka kaluar dhe 30 centimetrat. Kjo rrugë është e kalueshme vetëm me zinxhirë ashtu si dhe akset e lartpërmendura ku kalimi i të gjitha automjeteve këshillohet në mënyrë të pashmangshme me zinxhirë. Por sipas autoriteteve zyrtare pranë prefekturës së Korçës edhe me zinxhirë në disa akse kalimi është bërë gati i pamundur si në Qafën e Qarrit në segmentin Korçë-Kolonjë, rrugë e cila ka qenë e bllokuar për disa orë gjatë paradites të së shtunës. Ndërkaq segmenti Korçë-Kapshticë, më i qarkulluari i ditëve të fundit të këtij viti, është gjithashtu i rënduar nga reshjet e dëborës, ndërkohë që vështirësi të njëjtë kanë pasur dhe mbi pesë mijë emigrantë që kanë hyrë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës në 24 orët e fundit. Ndërkaq situata pritet të rëndohet gjatë orëve të natës ku pritet të ketë sërish reshje dëbore të shumta. Por ajo që është më shqetësuese lidhet me zonat e thella malore ku pesë fshatra në rrethin e Korçës prej afro 24 orësh rezultojnë të bllokuara nga dëbora. Sipas informacioneve zyrtare fshatrat Dardhë, Arzë, Nikolicë, Sinicë dhe Qytezë janë të izoluara totalisht nga reshjet e dëborës të cilat kanë kaluar trashësinë prej 40 centimetrash.

Një situatë e ngjashme është vënë re dje edhe në Gjirokastër. Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë të gjithë qarkun. Bora e parë e këtij dimri, që ka vijuar përgjatë gjithë së shtunës ka sjellë probleme, veçanërisht në qarkullimin e automjeteve. Kështu, në qytetin e Gjirokastrës vështirësitë më të mëdha kanë qenë në pjesën e sipërme e veçanërisht në rrugët me kalldrëm. Punonjës të ndërmarrjes komunale kanë punuar për largimin e borës, ndërsa efektivë të policisë bashkiake, kanë qenë në gatishmëri për të mos lejuar lëvizjen e automjeteve pa zinxhirë. Më e rënduar situata ka qenë në dy komuna, përkatësisht në komunën Zagori në rrethin e Gjirokastrës dhe atë të Frashërit në rrethin e Përmetit ku trashësia e shtresës së dëborës ka shkuar në 20 centimetër dhe në akset që lidhin këto zona me pjesët e tjera lëvizja kryhet me mjaft vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Informacionet e marra pranë Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Kombëtare bëjnë të ditur se të gjithë akset nacionale të qarkut janë të kalueshme. Të vetmet probleme kanë qenë ato të krijuara në Qafën e Muzinës në rrugën Gjirokastër- Sarandë, ku është hedhur kripë dhe skorje dhe gjithashtu lëvizja e automjeteve është kryer vetëm me zinxhirë. Vështirësitë nga dëbora i kanë ndjerë edhe emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe për të festuar Vitin e Ri. Aksi rrugor që lidh Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës me qytetin e Janinës (Greqi) ka qenë mjaft i vështirë për t’u kaluar dhe për këtë arsye policia greke nuk ka lejuar asnjë emigrant të qarkullojë pa zinxhirë. Ndërkaq, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut janë dyfishuar postblloqet në rrugë, për të shmangur ndonjë problem të mundshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›