E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti tragjik merr 14 jetë udhëtarësh

Pista tjetër hetimore ka të bëjë me gjendjen shëndetësore të drejtuesit të mjetit. Mendohet se i ra të fikët Policia: 14 të vdekur dhe 12 të plagosur, bilanci i aksidentit me autobus në Pukë

Turbulenca ajrore që ka bllokuar të gjithë fushëpamjen për drejtuesin e autobusit mendohet se ka sjellë aksidentin tragjik dje, duke sjellë vdekjen e 14 personave dhe 12 të plagosur. Por nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë gjendje të fikëti të drejtuesit të mjetit në momentet para aksidentit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:00 në aksin Rrëshen-Fushë Arës, ku autobusi me traga PU 1330 A ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 30 metra në një greminë. Një grua, në gjaknxehtësi e sipër, ka qenë ajo që ka telefonuar të atin, duke i treguar se kishin bërë aksident të rëndë me autobus dhe menjëherë lajmi ka marrë dhenë, ku dhjetëra makina policie, helikopterë, zjarrfikëse dhe mjete të tjera kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Policia tha se pikërisht në orën e lartpërmendur, strukturat e saj kanë marrë njoftim se gjatë lëvizjes në aksin rrugor Fushë Arës-Durrës, në fshatin Dom të Gjegjanit, ka dalë nga rruga një autobus me pasagjerë të linjës Fushë Arës-Durrës, me targë PU 1330 A, me drejtues shtetasin Zef Mark Gjergji, 45 vjeç, nga fshati Gojan, Komuna Gjegjan e Rrethit të Pukës.

Me të marrë informacionin, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, është ngritur shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërkohë që janë dërguar dhe forca të tjera shtesë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës dhe Lezhës. Për transportimin e të dëmtuarave të kësaj ngjarjeje të rëndë janë vënë në dispozicion gjashtë helikopterë, ku tre janë të Policisë së Shtetit, dy të Ministrisë së Shëndetësisë dhe një i Ministrisë së Mbrojtjes. Nga të dhënat zyrtare rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të mjetit, kanë humbur jetën 14 persona, si dhe janë plagosur 12 të tjerë.

Fillimisht, policia u ka dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ku dy prej tyre kanë vdekur rrugës për në spital, ndërsa shoferi i mjetit nuk ka mbijetuar nga plagët dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Bilanci tragjik ka qenë me tetë të vdekur që janë dërguar në Gjegjan, një prej të cilëve nuk është identifikuar deri në orët e vona të natës, tre të vdekur që janë dërguar në Pukë, ku edhe këtu ishte një person i paidentifikuar dhe tre të tjerë që janë dërguar në morgun e Tiranës. Dy të plagosur janë dërguar në spitalin e Shkodrës, ndërsa dhjetë të tjerë në Spitalin Ushtarak.
Nga hetimet e deritanishme dhe kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar dhe drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte përvojë shumëvjeçare në drejtim. Grupi hetimor është në pritje të ekspertizës mjekoligjore për drejtuesin e mjetit për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij në momentin e drejtimit të mjetit. Policia dyshon se ai mund të ketë pasur ndonjë gjendje të fikëti, para se të ndodhte aksidenti dhe ka humbur drejtimin e mjetit. Po ashtu pritet të merren në pyetje dhe të dëmtuarit nga ky aksident, sapo të përmirësohet gjendja e tyre shëndetësore, dëshmitë e të cilëve do të hedhin dritë mbi rrethanat e ndodhjes së aksidentit. Ndërkaq, një hipotezë ka të bëjë me turbulencë ajrore, që ka ndodhur njëkohësisht edhe në Tiranë dhe në Elbasan. Në përfundim të veprimeve të kryera, grupi hetimor do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë. Trupat e pajetë të 11 viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë janë transportuar në morgun e qytetit të Pukës. Ndërkohë që në morgun e qytetit të Tiranës gjenden trupat e pajetë të tre shtetasve të tjerë.

Bledi Gilaj, Luan Kondi

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›