I nxehti, termometri shënon 40 gradë
TIRANE- I nxehti afrikan që ka pushtuar vendin tonë do të na shoqërojë, së paku, deri në fundjavën tjetër. Sipas meteorologëve temperaturat do të vijnë në rritje dhe gjatë ditës së sotme, ku pritet që termometri të shënojë plot 40 gradë celcius, vlera këto që do ruhen edhe gjatë fillimit të javës që po vjen. Sipas parashikuesve të motit, edhe ditët që sapo lamë pas nuk kanë qenë shumë më të ulëta, pasi në qytete si Kuçova apo Berati, zhiva e termometrit ka shënuar mbi 38 gradë celcius. "Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta, - ka shpjeguar meteorologia, Lajda Porja. - Pritet të jemi me mot të kthjellët dhe me këto vlera të temperaturave deri në datën 24 korrik. Duke filluar që nga e enjtja e javës tjetër ne presim të kemi një rënie, por kjo rënie do jetë me 3-4 gradë, pra jo shumë e ndjeshme", - ka shpjeguar më tej ajo. Në ktë situatë, kur zhiva e termometrit vijon të rritet, mjekët këshillojnë të gjithë popullatën që të evitojnë daljet, sidomos në orët e drekës, kur jane dhe temperaturat më larta, ndërkohë që ende nuk është raportuar të ketë pasur viktima nga vapa. Kjo valë e të nxehtit afrikan, e cila ka përfshirë edhe vendin tonë, ka pushtuar një pjesë të mirë të Europës, ndërsa epiqendra është Italia që po përballet me temperatura shumë të larta.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)