E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti tragjik në Fushë-Prezë, katër persona humbasin jetënNga TemaNjë aksident tragjik ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Fushë-Prezë të Tiranës, kur katër persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Tre prej

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Aksidenti tragjik në Fushë-Prezë, katër persona humbasin jetënNga Tema

Një aksident tragjik ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Fushë-Prezë të Tiranës, kur katër persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Tre prej viktimave, Beqir Hasani, Ramush Reshiti dhe bashkëshortja e tij, Hapa Reshiti, janë nga Kosova, ndërkohë që viktima tjetër, që është femër, nuk është mundur të identifikohet nga ana e policisë. Ndërkohë, dy të plagosurit janë të rinjtë nga Laçi, Genti Poga dhe Jani Doda, gjendja e të cilëve është kritike për jetën. Shkaku i aksidentit mendohet të ketë qenë shpejtësia e madhe dhe lagështira.

Aksidenti

Ka qenë përafërsisht ora 16:30 e pasdites së djeshme, kur në rrugën e aeroportit të Rinasit, në Fushë-Prezë, ka ndodhur aksidenti tragjik, në të cilin katër persona, dy meshkuj dhe dy femra, kanë gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Sipas burimeve të policisë, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz”, me targa Laçi, LA 6862 A dhe një automjet tip “Wolksvagen” me targa Kosove 201 KS929. Këto të fundit kanë qenë duke udhëtuar në drejtime të ndryshme në aksin e vjetër të rrugës së Rinasit, kur janë përplasur në mënyrë fatale me njëra-tjetrën. Pasojat e aksidentit kanë qenë tragjike, pasi katër prej personave që udhëtonin me këto mjete kanë gjetur vdekjen, ndërkohë që dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Në fakt, vetëm një prej viktimave ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa tre të tjerët kanë humbur jetën në Spitalin Ushtarak, ku dhe janë dërguar me urgjencë për kurim. Policia ka mundur që të identifikojë me vështirësi viktimat, duke qenë se nuk kanë pasur mjete identifikimi. Madje, një prej viktimave nuk është identifikuar ende nga oficerët e policisë. Burime pranë Spitalit Ushtarak dhe policisë thanë se tre viktimat e identifikuara janë Beqir Hasani, 65 vjeç, drejtues i mjetit tip “Wolksvagen” me targa Kosove, 201 KS929, Ramush Reshiti, 58 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Hapa Reshiti, 56 vjeçe. Mësohet se tre viktimat ishin banorë të komunës së Lubishit në Kosovë. Ndërkohë, këto burime thanë se po punohet për identifikimin e viktimës së katërt. Përveç katër viktimave, në aksident mbetën të plagosur rëndë edhe Genti Poga, 23 vjeç, i cili gjendej së bashku me bashkëmoshatarin Jani Doda, në makinën e markës “Benz”, me targa Laçi, LA 6862 A. Sipas burimeve pranë Spitalit Ushtarak, gjendja e këtyre të fundit është kritike për jetën. Policia ka nisur ndërkohë hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në aksidentin e rëndë, nga i cili gjetën vdekjen katër persona. Deri më tani nuk ka ende asnjë version zyrtar, ndërsa dyshohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e shpejtësisë së madhe, me të cilën udhëtonin drejtuesit e mjeteve, por edhe lagështira e krijuar nga shiu i rënë gjatë pasdites së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›