E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Imuniteti s’mund të jetë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penaleNga Tema Ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers, duke folur në Konferencën për Integritetin, tha se imuniteti nuk duhet të shërbejë si strehë për z

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Withers: Imuniteti s’mund të jetë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penaleNga Tema

Ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers, duke folur në Konferencën për Integritetin, tha se imuniteti nuk duhet të shërbejë si strehë për zyrtarët që përballen me përgjegjësi penale dhe as si shtysë për këta persona që duhen gjykuar, që të mbajnë poste të larta qeveritare.

Withers tha se, koha kur mund të mbahej imuniteti, ka kaluar tashmë, dhe zyrtarët shqiptarë duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre përballë drejtësisë dhe qytetarëve.

“Pra, saktësisht, çfarë do të thotë që një zyrtar publik të udhëheqë me integritet? Për mua do të thotë të pranosh përgjegjësinë për veprimet e tua dhe të bësh gjënë e duhur, kur ndodhesh përballë vështirësive.

Të kesh kurajën për t’u ngritur në këmbë dhe për të thënë: “Unë duhet të jap llogari për” apo “Unë jam përgjegjës për” apo “Kërkoj të falur.” Do të thotë të mos fshihesh pas petkut të ligjit për të mbrojtur interesat e tua vetjake. Më lejoni të jap një shembull të asaj që dua të them me këtë. Mund t’i referohem specifikisht dispozitave kushtetuese këtu në Shqipëri që japin imunitet kundrejt ndjekjes penale për deputetët, gjykatësit, dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë. Të gjithë e dimë që ato dispozita u miratuan në fazat e para të zhvillimit demokratik në Shqipëri, kur ndoshta nevoja për t’i mbrojtur këta zyrtarë nga abuzimi prej sistemit të drejtësisë penale për qëllime politike e justifikonte dhënien e imunitetit. Megjithatë, Shqipëria ka ecur përpara dhe tani duhet të vendosë drejtpeshim midis kësaj mbrojtjeje nga një anë dhe nevojës absolute nga ana tjetër për të bërë që zyrtarë të lartë të korruptuar apo me përgjegjësi të tjera penale të japin llogari për veprimet e tyre”, - tha Withers.

“Disa ditë më parë, duke folur përpara Komitetit të Helsinkit në Shtetet e Bashkuara, zv/ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, kolegu dhe bashkëpunëtori im, Stuart Jones, tha si më poshtë: “Ne vazhdojmë të nxisim qeverinë e Shqipërisë më tej që të rrisë mbështetjen për institucione të pavarura gjyqësore dhe të prokurorisë, dhe heqjen e imunitetit parlamentar në rastet përkatëse.”

Ajo çka z. Jones donte të thoshte ishte që imuniteti nuk duhet të ofrojë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penale në gjykata, dhe as një shtysë për ata që gjykohen nga gjykatat që të kërkojnë apo të mbajnë poste të larta qeveritare.

Donte të thoshte që imuniteti nuk duhet të minojë perceptimin e publikut për integritetin në sistemin gjyqësor dhe politik”, - theksoi diplomati amerikan.

Ambasadori Withers tha se kryeministri, Sali Berisha, e ka premtuar heqjen e imunitetit dhe ky premtim duhet bërë realitet.

“Disa muaj më parë, kryeministri Berisha tha: “Duhen bërë përpjekje të mëdha, në mënyrë që Shqipëria të shkatërrojë murin e imunitetit.”

Pikëpamjen dhe ndjenjën e kryeministrit mbi këtë çështje vetëm mund ta duartrokasim dhe shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në një të ardhme jo të largët.

Me deklarata të tilla, kryeministri, në fakt, tregoi që ai e njeh integritetin si një cilësi të udhëheqësisë. Kryeministri tregon se e kupton që të udhëheqësh me integritet do të thotë që interesat e qytetarëve duhet të vihen të parat dhe jo të fundit. Masat mbrojtëse të përfshira në ligj për të parandaluar akuza ligjore të papërshtatshme dhe pa vend nuk duhen abuzuar. Në fund, përmasat e vërteta të zyrtarëve publikë shihen në mënyrën se si ai apo ajo përballet me sfidat”, - tha Withers.

Meta: Të vijë opozita në Kuvend dhe do vendosim për imunitetin

Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, iu përgjigj deklaratës së ambasadorit amerikan, John Withers, për heqjen e imunitetit duke thënë se besonte se mazhoranca do e ndërmerrte këtë hap, por, sipas tij, është e nevojshme që opozita të jetë në Kuvend për të miratuar një nismë të tillë.

“E përshëndes deklaratën e ambasadorit Withers për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Dua t’ju siguroj se ne jeni të hapur në çdo moment ta realizojmë edhe nga pikëpamja institucionale, por për këtë duhet edhe mirëkuptimi i opozitës, sepse është një veprim shumë i rëndësishëm. Në çdo moment që opozita do të jetë gati dhe do të japë mbështetje për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, jam absolutisht i sigurt që mazhoranca do ta avancojë këtë proces, pasi ka shprehur vullnetin e saj për t’i hapur rrugë drejtësisë për çdo çështje që ka të bëjë me hetimin e cilitdo, përfshi edhe ata që gëzojnë sot imunitet.

Meta: Imuniteti i do hequr Saliut

30.04.2008

Lëvizja Socialiste për Integrim është dakord për të votuar në parlament propozimin për heqjen e imunitetit të çdo deputeti. Duke marrë shkas nga kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, kryetari i LSI, Ilir Meta, deklaroi të martën për medien se, “për çdo kërkesë imuniteti, edhe për Ilir Metën, deputetët e LSI do të votojnë “Pro”. “Por, në rastin e Gërdecit kryefajtori dhe kryepërgjegjësi është Sali Berisha. Absolutisht jo vetëm zoti Mediu. Madje ne kemi thënë që, kur është bërë debati për imunitetin, ne të na konsiderojnë pa imunitet fare. Pastaj, çfarë imuniteti mund të ketë një deputet këtu? Çfarë imuniteti mund të ketë kushdo në këtë vend, kur për tri orë, 115 deputetë kapen dhe votojnë me papërgjegjshmërinë më të madhe për të përmbysur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? Për çfarë imuniteti bëhet fjalë? Dhe bëhet kjo përmbysje e Kushtetutës për t’i dhënë imunitet të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë Sali Berishës, përgjegjës kryesor për masakrën e Gërdecit, pikërisht në momentin kur e gjithë bota i ka vënë gishtin si fajtor, që nga gazeta “New York Times”, “Washington Post” dhe kudo në të gjithë botën”, - pohoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›