E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë strukturat e partisëNga Alfred PezaPjesë nga intervista e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në emisionin “Ora e Debatit” në “Ora News” ***

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ruçi: Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë strukturat e partisëNga Alfred Peza

Pjesë nga intervista e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në emisionin “Ora e Debatit” në “Ora News”

***

A ka humbur apo jo PS zgjedhjet?

Humbja në planin e verdiktit që ka dhënë elektorati shqiptar duhet vlerësuar në dy pamje. Sipas Kodit Elektoral, Partia Socialiste ka humbur dhe është në opozitë. Në planin moral dhe politik, po të krahasojmë PD dhe PS, PS është e fituar. Ore zotëri, le të hapen këto kuti dhe të mos vërtetohet asnjë pretendim që ne kemi. Atëherë ne do të dalim dhe do të themi, popull shqiptar, kundërshtari im politik, më fal, unë kam gabuar, zgjedhjet kanë qenë tërësisht të lira dhe ju s’keni vënë fare dorë në kutitë e votimi.

Sikur të ishte kështu...

Do të ishte shumë mirë, do të ishte jashtëzakonisht mirë. Por, duhet të marrë fund njëherë e mirë ankthi i zgjedhjeve. Duhet të marrë fund njëherë e mirë teoria staliniste që s’ka rëndësi se kush voton dhe se si voton, ka rëndësi se kush numëron dhe kush administron.

A do të ishte më mirë që të pranonit humbjen më përpara, sipas Kodit Elektoral, dhe më pas të vinit në mënyrën se si është administruar procesi dhe transparenca e këtij procesi...?

Humbjen në planin institucional, PS dhe kryetari i saj e ka pranuar, përderisa e quan veten në rolin e opozitës dhe opozitarit. Në planin e standardeve dhe të vënies dorë në procesin zgjedhor, PS nuk kërkon fitoren e tavolinës, por kërkon të vendoset një standard, me qëllim që në zgjedhjet pasardhëse këto fenomene të përcaktuara në këto zgjedhje të mos përsëriten më. Për teorinë apo lançimin e Shqipërisë për mosplotësim standardesh apo që ky popull nuk e meriton demokracinë, nuk ka faj elektorati dhe populli shqiptar, fajin e ka klasa politike, me veprimet dhe mosveprimet e saj, që shtrembëron verdiktin që jep elektorati shqiptar. Parë në këtë këndvështrim, ne kemi bindje që rezultati është i deformuar, megjithëse PS ka 11 mijë vota më shumë se PD. Nëse do të fusim edhe koalicionin, unë po u them që të marrësh një mandat duhen 10 mijë vota, ja 25 mijë vota, ne pretendojmë se minimumi PS i janë deformuar 3 mandate. Atëherë 3 mandate, 30 mijë vota edhe 10, 40 mijë vota, bie koalicioni, se do t’i ulen asaj. Madje, do të thosha 60-70 mijë, se i ulen asaj. Pra s’është e vërtetë që është 10 mijë vota me këto rezultate të certifikuara nga institucionet kushtetuese të këtij vendi dhe njëkohësisht janë minimumi tri mandate të deformuara, që janë baras me 30 mijë vota.

***

Është e vërtetë që direkt pas zgjedhjeve zoti Rama dëshironte të largohej nga kreu i PS dhe jeni ju që e keni bindur atë të qëndrojë?

Unë jam kundër këtyre zërave dhe kundër këtyre deklarimeve. Vizioni im për një kryetar partie është krejt ndryshe, jo kushdo mund të dalë kryetar partie. Të gjithë mund të dëshirojnë, mund të aspirojnë, por jo kushdo mund të bëhet kryetar partie. Pse? Partia është frymë. Pra, që të dalësh kryetar partie duhet të të ndjejë anëtarësia dhe ti duhet ta ndjesh anëtarësinë. Le të marrim Edi Ramën. Ajo që unë kam parë, më falni për mungesën e modestisë, për arsye të kohëzgjatjes pa u shkëputur nga drejtimi i PS, kam ndjerë një gjë, në 2005 e kërkonte Edi Rama PS, nuk e kërkonte anëtarësia Edi Ramën, e kërkonte Edi Rama për t’u bërë kryetar i PS. Në atë kohë ka pasur një problem, që Edi Rama, megjithëse ishte kandidat i PS në gati dy mandate, por kishte ardhur jashtë gjirit të PS, të asaj pjesës tradicionale të të qenit socialist, ai kishte një problem, që s’ishte kaq e lehtë që Edi Rama kryetar ta ndiente PS dhe anëtarësia e PS të ndjente kryetarin e saj. S’është problem i vogël ky, është problem shumë i madh, ky ishte fillimi. Le të vijmë në 2009. Nëse në 2005, kërkonte Edi Rama të bëhej kryetar i PS, në 2009, kërkonin socialistët që të kishin për kryetar Edi Ramën. Pse? Sepse ishte plotësuar ky hendek i madh në 2005, që në 2009, socialistët e ndjenin për kryetar Edi Ramën.

Më thoni një kryetar partie që e ka hequr anëtarësia. Askush. Ka ikur vetë, pasi ka humbur zgjedhjet dhe ka ikur. Do të ishin të përjetshëm kryetarët, nëse do të vendosë anëtarësia kush do të rrijë kryetar. Zoti Nano do të ishte kryetar i PS, nëse s’do të ikte vetë në 2005?

Mund të të them një gjë, që Edi Rama iku dhe anëtarësia e PS, në plotësim të pyetjes suaj, kishte në dorë ta hiqte Edi Ramën. Madje shumë është lançuar që ka pasur peticione nga strukturat e PS dhe nga anëtarësia e PS, që Edi Rama të mos japë dorëheqjen. Mund të kishte peticione të tjera, duke filluar që nga unë që flas, që Edi Rama, jo vetëm të ndërpresë mandatin, por të mos guxojë të kandidojë për kryetar të Partisë Socialiste. Ashtu sikurse është e drejtë e tij edhe për të konkurruar dhe ishte përsëri e drejtë normale e anëtarësisë së PS, që me atë anën që të jep demokracia, vota e fshehtë, ta hiqte Edi Ramën. Koha vërtetoi dy gjëra, që anëtarësia e PS ka pasur një trysni shumë normale për mosndërprerje të mandatit të Edi Ramës. Ka pasur një trysni të anëtarësisë për kandidim të Edi Ramës dhe Edi Rama plotësoi të dyja kushtet, edhe për anën morale dhe institucionale që statuti kërkon, edhe atë që anëtarësia e PS i kërkonte si detyrim Edi Ramës. Ai rikandidoi. Besoj se pjesëmarrja e socialistëve në votim dhe vota që Edi Rama mori nuk kanë nevojë për komentet e mia.

Nuk më kthyet përgjigje për zotin Nano...

Nuk e di, duhet provuar, ajo është e paprovuar. PS në këto 18 vjet ka provuar shumë gjëra, ka provuar kryetarin në burg, është administruar dhe drejtuar në një kohë tepër të vështirë në mënyrë kolegjiale nga pjesa tjetër e udhëheqjes, ashtu sikurse ka provuar dorëheqje të kryetarit, ashtu sikurse ka provuar ndërrimin e disa kryeministrave. Mos harroni që brenda 8 vitesh qeverisje kemi ndryshuar 6 kryeministra. Dy herë Nanon, dy herë Majkon dhe dy herë Metën. Po ashtu edhe disa ministra. Ashtu sikurse ka provuar dorëheqjen e kryetarit, ashtu sikurse ka provuar edhe ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe rizgjedhjen e kryetarit në mënyrën më të mirë dhe më demokratike.

Zoti Rama menjëherë pas 28 qershorit është konsultuar me ju për të dhënë dorëheqjen për t’u larguar nga kreu i PS?

Sigurisht që unë jam pjesë e PS dhe unë, kur thashë që kam konsultuar ose dhashë një mendim që, nëse në 2005 Edi Rama donte drejtimin e PS, në 2009 socialistët duan në drejtim Edi Ramën. Sigurisht që edhe unë s’bëj përjashtim dhe mendimi e gjykimi im nuk ishte se unë, Gramoz Ruçi, dua Edi Ramën, absolutisht jo.

Korrespondon që edhe në 2005, edhe tani, ju jeni që e doni...

Nuk funksionon kështu partia. Meqë pyetët në 2005, unë kam qenë skeptik. Kam qenë shumë skeptik në një kuptim, në atë që ju thashë qëparë, nuk shikoja që socialistët të ndienin për kryetar Edi Ramën. Ndërsa sot jam me këtë mendim, s’është mendim për interesa meskine të Ruçit, apo personale të Ruçit, apo individuale të Ruçit, apo Ruçi përdori kreditin e tij për të mbajtur Edi Ramën kryetar. Përkundrazi, Ruçi, do të ishte e pafalshme vërtet, nëse nuk do të lexonte si atë frymë që lexoi në 2005, po ashtu edhe atë frymë që ishte në 2009.

Ju po thoni që në 2009 zoti Rama dha dorëheqjen, por, për shkak se ekzistonte fryma që PS e donte zotin Rama, ju bashkë me strukturat e PS sollët këtë zhvillim?

Po, strukturat e Partisë Socialiste.

Përgjigjja ishte po. Domethënë, zoti Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë strukturat e partisë?

Po, patjetër.

***

Ka një grup të mendimit ndryshe. Si është pozicioni i tyre dhe si është pozicioni i strukturave zyrtare të partisë në këtë grup?

Sigurisht jemi, zërat ndryshe tani dihen, autorët e këtij mendimi dihen. Unë, si kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe anëtar i udhëheqjes së asaj partie, i kam dëgjuar në strukturat brenda familjes sonë politike. Nuk paragjykoj asnjërin prej tyre dhe as qëndrimin që ata kanë. Për të bashkuar të dy pjesët e pyetjes që m’u drejtua, do të thosha që edhe unë kam evoluar në këtë mendim dhe në këtë qëndrim, dhe është normal evoluimi. Ju e dini që janë zgjedhjet e para në këto 18 vjet që unë nuk kam qenë në qendër të selisë së partisë për të ndjekur fushatën në tërësi në Shqipëri, por kam qenë vetëm në një qendër. Sigurisht, njihja më mirë gjendjen në qarkun e Fierit, por nuk mund të thosha që njihja mirë zhvillimet në të gjithë territorin e vendit. Njëherësh unë dua të përcjell dhe të shfrytëzoj studion tuaj për atë çfarë ndodhi në Fier. Por, menjëherë pasi kam ardhur nga Fieri, kur ishim në kushtet që 9 kuti ishin pa u numëruar, jo rinumërim, por pa u rinumëruar, pa u hapur, unë i kam kërkuar kryetarit të partisë, menjëherë mbledhjen e Kryesisë së partisë për të mbajtur një qëndrim dhe një pozicion politik. U zhvillua kjo mbledhje e Kryesisë dhe unë aty kam deklaruar katër gjëra. Nëse nuk hapen kutitë e Fierit dhe bashkova kërkesat që kishin përfaqësuesit e qarqeve të tjera, rinumërimin e Beratit, e disa qendrave në Tiranë dhe në Shkodër, PS do të mbajë këtë qëndrim. Së pari, nuk do të marrë pjesë në parlament. Së dyti, do të tërheqë komisionarët në KQZ. Së treti, nuk do të njohë zgjedhjet. Së katërti, do t’i bëjë thirrje elektoratit në mbrojtje të votës së lirë. Sigurisht isha i interesuar në radhë të parë për çështjen e Fierit, e cila nuk ishte e lehtë, megjithëse ishte tërësisht e ligjshme dhe tërësisht demokratike. Kërkohej që edhe aty të merrej një mandat. Nga tri mandate PS, diferenca midis PD-PS dilte një mandat. Kur, siç e patë, që u lexuan para opinionit publik, ky mandat i takonte PS. Por kjo nuk do të thotë që u realizuan në qarkun që isha unë dhe unë duhet të bëja të paditurin se çfarë kishte ndodhur në qarqet e tjera, kur pashë që KQZ nuk zbatoi nenin e shkruar e zeza në të bardhë, që ishte e vetmja kërkesë e opozitës, që është vonuar miratimi i atij Kodi Elektoral vetëm për atë pikë. Kjo pikë nuk është kërkuar se iu tek njërit brenda forcës tonë politike apo përfaqësuesve tanë në komisionin bipartizan, por u vu si rezultat i gjithë asaj problematike që kishin pasur zgjedhjet në Shqipëri. Patëm shpresën që Kolegji Zgjedhor të paktën do të vlerësonte dhe do të thoshte togfjalëshin që KQZ të zbatojë nenin kaq dhe paragrafin kaq. Unë po të them se e nisa me fjalinë që edhe unë kam evoluar. Madje s’po i përmend emrin, një nga aktorët që ka mendim ndryshe për vajtjen në parlament, edhe unë, kur është konsultuar me mua, i kam thënë, edhe unë nuk shkoj deri tek ekstremizmi i bojkotit parlamentar. Por, kur mora informacionin se çfarë ka ndodhur me listat e zgjedhësve, me kartat e identitetit, me numërimin e 1/3 të qendrave të votimit, pasi u konsultova jo thjesht në kafenetë e Tiranës, por me shumë struktura dhe faktorë, kur janë zhvilluar këto....

Madje po ju them që është kërkuar që çështja e bojkotit parlamentar nga delegatët e Kongresit të vihet në rezolutën e Asamblesë Kombëtare që grupi parlamentar të bojkotojë parlamentin. Kam qenë unë ai në drejtimin e Kongresit që u kam kërkuar delegatëve që këtë të mos ta bëjmë me vendim Kongresi, por të autorizojmë Kryesinë e partisë që hap pas hapi të shikojë dhe të bëjë vlerësimin e situatës, derisa arritëm në atë formulim, në konsultim edhe me grupin parlamentar, që ne të kushtëzonim pjesëmarrjen tonë në parlament. Sigurisht, edhe në Kryesi të partisë, edhe në grupin parlamentar, kolegët e mi, familjes sime politike, të cilët unë i respektoj për vlerat, për integritetin, për kontributet, edhe për mendimet ndryshe, madje i shërben PS, nuk e dëmton.

Do të përfshihen në struktura?

Çfarë do të thotë përfshirja e tyre në struktura? Së pari, nuk ka zgjedhje për Kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ka zgjedhje në nivelin e parë të partisë, që është organizata socialiste. E dyta, edhe për grupet e punës mjaft nga këta kolegë janë përfshirë, si në grupin e punës të programit, edhe të statutit, ka një pjesë që ka pranuar, ashtu sikurse ka pasur dy kolegë që nuk kanë pranuar. Ben Malaj dhe Saemira Pino. Është në të drejtën e tyre të japin kontributin e tyre në forma të ndryshme.

Po nëse ata hyjnë në parlament, do të hiqen?

Unë nuk shtie fall. Nuk do të dëshiroja aspak që asnjë nga pjesëtarët e familjes sime politike ta thyejë këtë vendim politik të Partisë Socialiste. Nuk do ta dëshiroja, megjithëse nuk mjafton dëshira ime. Duhet edhe vullneti i kolegëve. Nëse dikush bën zgjedhjen e tij, është i lirë në demokraci. Por the që PS në asnjë rast nuk ka bërë “gjueti shtrigash”. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë, një kolegu i AK më tha që kjo mbledhje duhet të kishte filluar me qëndrimin që duhet mbajtur për Shpëtim Idrizin. I thashë, pse duhet të fillojë me këtë? Dikush tjetër nuk kuptohet që bashkë me ikjen e njërit duhet të marrë dhe mandatin e atij, që të vijë tjetri. I shpjegova që është një zgjidhje që ka bërë zoti Idrizi, i cili formoi një parti të re, është zgjedhja e tij, në raste të tilla PS as e vendos në analizë, as e vë në paralizë, as e ndëshkon. Përkundrazi, e çregjistron si anëtar i PS. Për sa i përket mandatit. Mandati është në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurit. Edhe në rastin konkret, secili bën zgjedhjet e tij. Unë këtu jam si kryetar i AK dhe s’do të dëshiroja askënd që të bënte një zgjedhje jashtë këtij verdikti, tashmë të dhënë në mazhorancë nga Kryesia e partisë, nga grupi parlamentar. Mbi të gjitha të mos harrojmë një gjë, nga anëtarësia e partisë. Të mos harrojmë që votimi për Edi Ramën s’ka qenë thjesht se do të ishte Edi Rama apo Maqo Lakrori kryetar partie, ka qenë edhe për një element të veçantë që ne po e diskutojmë kaq gjerë edhe kaq gjatë, ka qenë që të marrë pjesë apo të këmbëngulë PS në këto kushte, në këto kërkesa që ka shtruar përpara mazhorancës apo jo. Votimi ka qenë plebishitar, e gjithë anëtarësia e partisë ka qenë në një referendum në parti, që absolutisht PS, grupi parlamentar, Kryesia e partisë, AK, të mos lëvizë nga plotësimi i këtyre kushteve dhe këtyre kërkesave.

***

A jeni ju duke i shërbyer elektoratit që ju votoi duke bërë të tillë opozitë? Jemi si vend në prag të zhvillimeve të mëdha historike, që kanë të bëjnë me çështje të integrimit, çështje që kërkojnë kontributin e të gjithë klasës politike në Shqipëri. Nëse do marrë një kosto ndërkombëtare si pasojë e qëndrimeve tuaja, për sa i përket çështjeve integruese, a e merrni parasysh që shumë njerëz nuk do t’ua falin këtë, për shkak të kokëfortësisë që duhet të hapen kutitë? Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që opozita të shkojë në Kuvend. Sa do rezistoni me këmbënguljen për të mos hyrë në parlament?

Kujtdo që pret se opozita do të lodhet, kushdo që pret se opozita do të demotivohet, do t’i thosha ta harrojë. Për arsye se kjo do të ishte gjëja më e keqe në shërbim të elektoratit të vendit dhe demokracisë. Madje do të kërkoja mbështetjen tuaj dhe nëpërmjet kësaj studioje të nderuar dhe të respektuar, të gjithë shoqërisë civile dhe opinionbërëse në Shqipëri, që unë, kur nisa pyetjen e parë që zoti Peza më bëri, thashë që, pavarësisht nga këto, këtij vendi i mungojnë shumë gjëra, por të paktën mos t’i mungojë opozita. Do të ishte një humbje fatale që ne me tërheqjen që mund të bënim, sipas pyetjes që ju shtruat, ta linim këtë vend me të njëjtat probleme dhe të njëjtat shqetësime.

***

Zoti Nano ka bërë një deklaratë shumë të fortë, që njerëz pranë kryetarit të PS e kanë kërcënuar me jetë. Ju si e komenti këtë?

Për këtë s’dua të komentoj. Unë nuk di një element të tillë, absolutisht mund ta thotë publikisht nga partia, është e drejtë kujtdo. Unë e kam dëgjuar në dy intervistat që ka dhënë zoti Nano, sigurisht që unë kam qenë një bashkëpunëtor i vjetër, i ngushtë madje, është një realitet. Në të dyja intervistat e tij për zhargonin e përdorur si pjesëtar i familjes sime politike, për atë që deklaroi lidhur me para votimit me PS dhe atë që deklaroi pas votimit se s’kishte votuar PS, s’ka se si të jem dakord.

Jeni dakord me zotin Rama, kur thotë që Nano-Meta-Berisha janë në një kamp?

Unë s’kam ndonjë dallim nga ajo që deklaron Edi Rama dhe ajo që deklarova unë këtu është kjo, që nuk do ta dëshiroja dhe nuk do të mendoja kurrën e kurrës që Fatos Nano, si themelues i PS, si drejtues i PS për 15 vjet rresht, tri ditë para zgjedhjeve të shprehte verdiktin e tij ndaj forcës së tij politike dhe një muaj pas zgjedhjeve të deklaronte votën e tij kundër PS. Këtë nuk do ta dëshiroja kurrë, nuk do të dëshiroja ta dëgjoja. Sigurisht është e hidhur, por ky është realiteti. Atëherë ky realitet nuk ka as më shumë dhe as më pak se ai qëllim dhe ajo alternativë që përfaqësonte kundërshtarët tanë politikë. Nuk doja ta shikoja Fatos Nanos kundërshtar të forcës sime politike. Ky është realiteti dhe, sado i hidhur, duhet pranuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›