Komisioni i Venecias: Përgjigjet për pesë pyetjet e Kushtetueses për lustracioninNga TemaKomisioni i Venecias, organizmi i njohur pranë Këshillit të Evropës, ka vendosur që ligji për lustracionin, që ka miratuar mazhoranca qeverisëse, është antikusht
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Komisioni i Venecias: Përgjigjet për pesë pyetjet e Kushtetueses për lustracioninNga TemaKomisioni i Venecias, organizmi i njohur pranë Këshillit të Evropës, ka vendosur që ligji për lustracionin, që ka miratuar mazhoranca qeverisëse, është antikushtetues.
Gazeta boton sot konkluzionet e këtij Komisioni për ligjin në fjalë. Pesë pyetje janë dorëzuar nga Gjykata Kushtetuese pranë këtij institucioni, që ka deklaruar se ligji për lustracionin është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe ligjit. Komisioni ka quajtur shkelje kushtetuese ndërprerjen e mandateve për drejtuesit e institucioneve të rëndësishme të shtetit; dhunimin e së drejtës për të garuar e për të punuar, si dhe ka pranuar se është shkelje përpjekja e qeverisë për të neutralizuar Gjykatën Kushtetuese për të mos dhënë vendim për këtë çështje.
“Komisioni i Venecias është i vetëdijshëm për nevojën e lustracionit si një çështje themelore në Shqipëri, ashtu si në shumë vende postkomuniste. Pavarësisht periudhës së 20 viteve që kanë kaluar që nga fillimi i tranzicionit, çështja është kyçe në shumë vende të reja demokratike, ku procesi i lustrimit shihet si një nga mjetet për të sjellë drejtësi historike, në mënyrë që të lihet pas e kaluara jo-demokratike dhe të bëhet transparencë për jetën publike”, - thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.
“Komisioni i Venecias rikujton megjithatë se procedurat e lustrimit, pavarësisht natyrës politike, duhet të hartohen dhe të zbatohen vetëm me mjete ligjore, në përputhje me Kushtetutën dhe duke marrë parasysh standardet evropiane për sa i përket zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Nëse veprohet në këtë mënyrë, atëherë procedurat e lustrimit do të jenë ato të një vendi demokratik që qeveriset nga zbatimi i ligjit. Ligji shqiptar për pastrimin e figurave nuk është miratuar në një vakuum kushtetues, por në një kontekst ku Kushtetuta aktuale ofron themele të forta për një shtet demokratik që qeveriset nga zbatimi i ligjit dhe vendos garanci të forta për mbrojtjen e lirive njerëzore. Ligji për lustrimin duhet të analizohet përkundrejt këtij sfondi”, - vijon më tej arsyetimi i Komisionit të Venecias.
Çështjet e marra në konsideratë dhe përgjigjet për Kushtetuesen
“Komisioni i Venecias, duke reflektuar në lidhje me pesë pyetjet që na ka dërguar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka marrë në konsideratë dy çështje: në radhë të parë faktin se ligji është miratuar pothuajse 20 vjet pas rënies së regjimit komunist, për shkak të faktit se përpjekjet e mëparshme për të zbatuar lustracionin janë ndaluar, ose nga Gjykata Kushtetuese, ose - pas një periudhe të shkurtër kohore të aplikimit - nga qeveria e re.
Çështja e dytë që ka marrë në konsideratë Komisioni i Venecias është fakti se shkalla e aplikimit të ligjit të lustracionit është shumë e gjerë dhe e paprecizuar, çka lë shumë pak hapësirë për marrjen në konsideratë të çdo rasti në mënyrë individuale. Kjo ngre çështjen e respektimit të principit të ligjshmërisë dhe të procedurave të posaçme kushtetuese që garantojnë statusin e institucione më të rëndësishme të shtetit”, - thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.
Më poshtë vijojnë pyetjet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare për Komisionin e Venecias dhe përgjigjet e trupës së ekspertëve juridikë.
Pyetja e parë
A shkel ligji garancitë e mandatit të Presidentit të Republikës, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, deputetëve, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe Prokurorit të Përgjithshëm? Nëse po, a është përfundimi i mandatit i justifikuar? A është shkelur principi i zbatimit të ligjit?
Komisioni i Venecias është i mendimit se parashikimi në Ligjin për Lustracionin për ndërprerjen e mandatit të Presidentit të Republikës, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve dhe ministrave në rastin e “verifikimit të certifikatës B”, dhunon garancitë institucionale të mandatit të tyre e për këtë arsye është në kundërshtimin me principin e zbatimit të ligjit.
Pyetja e dytë
A shkel ky ligj (i miratuar me shumicë të thjeshtë), garancitë ligjore dhe kushtetuese të vendosura me ligjet respektive organike (ligje të miratuara nga shumica e cilësuar e 3/5 të deputetëve sipas nenit 81 të Kushtetutës) për gjykatësit, prokurorët, punonjësit e administratës publike? Nëse po, a mund të konsiderohet kjo shkelje si e justifikuar?
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Komisioni i Venecias është i mendimit se ligji i lustracionit, që është një ligj i zakonshëm, nuk mund të konsiderohet si një interpretim i thjeshtë dhe zbatim i parashikimeve përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve organike. Ligji për lustracionin shkel kompetencat që Kushtetuta rezervon për ligjet organike, duke dhunuar në këtë mënyrë Kushtetutën.
Pyetja e tretë
A është në përputhje me kërkesat e zbatimit të ligjit krijimi, funksionimi dhe procesi vendimmarrës i Autoritetit të Kontrollit të Figurave? A ka një konflikt kompetencash mes disa trupave kushtetuese dhe Autoritetit të Kontrollit të Figurave? Nëse po, a mund të jetë i justifikuar ky derogim dhe a është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, që është qartësisht e lidhur me dy pyetjet e para, Komisioni i Venecias konsideron se rregullat e ligjit të Lustracionit për kompetencat e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, janë në dhunim të Kushtetutës dhe të principeve të zbatimit të ligjit.
Pyetja e katërt
A janë të justifikuara kufizimet e të drejtave politike kushtetuese, e të drejtës për punë dhe e të drejtës për akses në administratën publike? A janë proporcionale këto kufizime?
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Komisioni i Venecias është i mendimit se ka disa elemente që tregojnë se ligji i lustracionit mund të ndërhyjë në mënyrë disproporcionale në të drejtën për të garuar në zgjedhje, të drejtën për punë dhe të drejtën për akses në administratën publike.
Pyetja e pestë
Një çështje e ngritur është se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të faktit që janë subjekte potenciale të këtij ligji, nuk mund të marrin pjesë në diskutimin për kushtetutshmërinë e ligjit, në mënyrë që të shmanget konflikti i interesit.
A qëndron ky pretendim i tyre edhe në rastin e kontrollit abstrakt të ligjit (miratuar nga një shumicë e thjeshtë)?
Nëse tërheqja apo largimit i disa gjyqtarëve mund të sjellë pamundësinë për marrjen e vendimeve e në këtë mënyrë dhe një bllokim institucional, a mund të konsiderohet e justifikuar kjo situatë?
Në gjykimin e Komisionit të Venecias, ligjvënësi ka dështuar në përmbushjen e detyrimit për të ofruar një dispozitë organike për aftësinë e Gjykatës për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit, edhe në rast se lustrimi çon në konflikt të interesave me disa gjyqtarë.
Megjithatë, duhet siguruar se Gjykata Kushtetuese, si një garantuese e Kushtetutës, mund të funksionojë si një institucion demokratik: mundësia për të përjashtuar gjyqtarët nuk duhet të sjellë pamundësinë e Gjykatës për të marrë vendime. Si në rastin e tanishëm, çështja nëse mbarimi i mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas ligjit të lustracionit është e qartë, shumë pak mundësi ka për një vendim të njëanshëm: ai thotë që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë nuk përjashtohen nga vendimmarrja për këtë çështje