Aksidenti, vdes 23- vjeçarja, plagosen dy të tjerë
Makina ka dalë nga rruga dhe mendohet se shkaku i aksidentit është përgjumja e shoferit
LUSHNJE- Një vajzë ka gjetur vdekjen ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur në një aksident automobilistik që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Lushnje. Aksidenti ka ndodhur në segmentin e autostradës Lushnje-Rrogozhinë, në vendin e quajtur kthesa e Konjatit, rreth 5 kilometër larg qytetit të Lushnjes kur një automjet ka dalë nga rruga. Dëshmitarët okularë pohuan se ka qenë ora 07.00 e mëngjesit kur një automjet, i cili vinte nga Gjirokastra dhe shkonte në Tiranë ka devijuar nga korsia dhe është rrezuar në krahun e djathtë të lëvizjes së tij.
Aksidenti
“Nga përplasja e fortë e makinës ka vdekur në vend një vajzë e re ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur. Ata janë dërguar nga makinat e tjera për në spitalin e Lushnjes”,- thanë dje dëshmitarët okularë. Sipas policisë, vajza që ka gjetur vdekjen është Entela Binjaku, 23 vjeç. Ndërkohë Erjona Rustemi, 22 vjeç, dhe Arillaq Kaleshi, 35 vjeç, kanë marrë plagë të ndryshme. Oficerët e policisë pohuan se automjeti ishte nisur nga Gjirokastra me disa pasagjerë për të shkuar në Tiranë, por nuk ka kaluar më shume se kthesa e fshatit Konjat ku makina ka dalë nga rruga. Nga hetimet e para të policisë, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të automjetit, i cili është arrestuar pas aksidentit të ndodhur. Të plagosurit janë dërguar në spital për t’i dhënë ndihmë mjekësore dhe burime të spitalit theksuan se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Disa të njohur të viktimës thane se 23- vjeçarja sapo ishte diplomuar si juriste dhe më datën 20 do të organizonte ceremoninë e shpalljes së fejesës.
Mjekët
Burime të spitalit të Lushnjes pohuan se të plagosurit janë dërguar fillimisht në dhomën e mjekimeve dhe pak minuta më vonë janë shtruar në kirurgji, në dhomën numër tre. Mjekët e shërbimit të kirurgjisë thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe se po marrin mjekim intensiv për kurimin sa me shpejt të plagëve të marra në aksident. “Nga përplasja ata kanë marrë shtypje dhe fraktura në pjesë të ndryshme të trupit dhe nuk janë në gjendje të tregojnë se çfarë u ka ndodhur në kohën kur ishin duke udhëtuar për në Tiranë”,- thanë dje burimet e spitalit. Sipas tyre, policia ka ndërmjetësuar me të afërmit e viktimave në Gjirokastër dhe rreth orës 11.00 disa familjarë janë njohur konkretisht me ngjarjen ku humbi jetën 23- vjeçarja Entela Binjaku. Kufoma është mbajtur në morg deri në përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe më pas i është dhënë familjarëve.