E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, flakë në Potam, frikësohen pushuesit

Flakët kanë rrezikuar disa shtëpi dhe një lokal por kanë djegur vetëm disa shkurre. Rishfaqen zjarret në orët e mbrëmjes

HIMARË- Flakët e zjarrit kanë rrezikuar dje shtëpi dhe një lokal në zonën e Potamit në Himarë duke shkaktuar panik. Zjarri ka rënë rreth orës 14.30 dhe era ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të tij në një kodër me ullinj. Në këtë moment, në plazhin poshtë kodrës ndodhej një numër i konsiderueshëm pushuesish, të cilët janë frikësuar nga tymi. Ata kanë braktisur plazhin duke u larguar nga zona. Largësia e zonës nuk ka favorizuar ardhjen e shpejtë të mjeteve zjarrfikës. I pari mjet ka ardhur nga Himara, dhe po në ndihmë të situatës kanë qene edhe mjete ambulance dhe të policisë.

Pushues në këtë zonë, nëpërmjet linjës telefonike, kanë bërë me dije se në momentin që është shfaqur zjarri, kanë parë flakët që kanë pushtuar faqen e kodrës përballë. Disa mjete rulotë të pushuesve, që ndodhen në zonë, kanë zbritur me shpejtësi për tu shpëtuar flakëve. Po kështu nga ana e banorëve ka nisur lufta me zjarrin për të mos lejuar flakët drejt shtëpive. Ardhja e zjarrfikësve ka konkretizuar dhe ndihmën e parë, ku është mundësuar fikja në disa pjesë të sipërfaqeve. Ende ka vatra zjarri në zonë dhe nuk dihet ende dëmi i shkaktuar, ndërkohë që flakët kanë krijuar moment tensioni te banorët dhe pushues që kanë qenë në këtë zonë. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se kryesisht janë djegur shkurret e shumta që ndodhen në këtë kodër. Sipas tyre, janë djegur edhe disa rrënjë ullinj. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes por ende nuk ka arritur që të identifikojë shkaqet e këtij zjarri

Situata është rënduar sërish në orët e mbrëmjes së djeshme në kodrën e Potamit. Një tjetër vatër ka mbajtur në gatishmëri efektivët zjarrfikës, të cilët janë vendosur gjatë gjithë pjesës së dytë të ditës në Himarë, madje janë rikthyer në orët e vona të mbrëmjes pas sinjalizimeve për një tjetër zjarr në lagjen 1 Maji. Në orët e pasdites vëmendja është përqendruar në zonën pas godinës së SHIK në Himarë, ku ka sipërfaqe pyjore. Një pjesë e kësaj është përfshirë nga flakët dhe efektivë së bashku me banorë të zonës janë përpjekur të mos lejojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zonë, shtrirja e të cilit rrezikonte jo vetëm drurët, por edhe godinën. Gjithsesi largësia me zonën ka mbajtur larg djegie të tilla, ndërsa rezulton që këtu të jetë djegur bimësi e ulët, më tepër se sipërfaqe të tjera. Siç bëhet me dije është djegur një shtëpi e pabanuar, kryesisht në pjesët e çatisë. Dëmtimi më i madh për zonën që shtrihet ndërmjet Himarës dhe Pilurit, rezulton te ullinjtë. Shefi i sektorit zjarrfikës Arten Osmënaj pohon se në zonë nuk ka banesa që të dëmtohen, janë vetëm shumë metra më tutje disa shtëpi të tjera të pabanuara, ku po luftohet që flakët mos tu drejtohen atyre. Gjithsesi orët e vona kanë rritur seriozisht tensionin në Himarë, ku flakët nisën prej paradites, për tu rikthyer më kërcënuese në mbrëmje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›