E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, përplasen dy makina, tre të plagosur

FIER- Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën nacionale Fier -Vlorë dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët ishin në të njëjtin mjet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.00 pranë vendit të quajtur “Kthesa e Qarit”, rreth tre kilometra larg Levanit të Fierit në rrugën nacionale midis Levan- Novosele. Dëshmitarët okularë pohuan se dy mjete tip Benz me targa të Fierit dhe Elbasanit janë përplasur me njëri-tjetrin. Nga kjo kanë mbetur të plagosur shtetaset Arjola Muoka, 26 vjeçe,Eva Totila, 23 vjeçe, që të dyja nga Gramshi si dhe është plagosur lehte edhe drejtuesit i mjetit ku ndodheshin të dëmtuarat, Kujtim Hoxha. Ky i fundit ishte drejtues i mjetit me targa “EL 2097B”, banues në Cërrik. Sipas policisë rrugore, ky mjet është përplasur me benzin me targa “FR 0211D” që drejtohej nga shtetasi Hysni Shehaj nga qyteti i Fierit. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Fierit dhe sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Policia rrugore po punon për zbardhjen e këtij aksidenti, i cili për rreth 10 minuta ka bllokuar rrugën nacionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›