E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, kamioni me dru djeg tetë fshatra

Kamioni ishte ngarkuar me ushqim për bagëtitë. Shoferi dhe i biri tentojnë të shuajnë zjarrin duke futur makinën në ujë

SHKODER- Një kamion tip Iveco me targa “TR 8722 D”, që transportonte ushqim për bagëtitë, mendohet të ketë shkaktuar zjarrin më të madh të rënë në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti. Fshatrat Demiraj, Grizhë, Çezme, Gjorm, Qari Sipër, Mushqeraj, Dud dhe Podgore tëMalësisë së Madhe, janë rrezikuar të shkrumbohen pasi zjarri i favorizuar dhe nga era është përhapur me shpejtësi duke djegur shkurre, gardhe, pemë frutore e shtëpi. Fatmirësisht zjarri nuk pati pasoja në njerëz, pasi shtëpitë ishin të pabanuara. Sipas banorëve, ka qenë kamioni ai që ka marrë zjarr në ngarkesën e tij por kjo është pikasur nga drejtuesi i automjetit, Tonin Rranza, nga Thethi i Dukagjinit. Madje ai ka vazhduar rrugën duke përhapur flakët që kishin përfshirë ngarkesën. Mendohet se zjarri në karrocerinë e mjetit ka rënë nga kontakti i ngarkesës me energjinë elektrike. Kamioni ka vazhduar rrugën dhe për disa metra, ndërsa zjarri është përhapur nëpër shkurret e gardhet në dy anët ë rrugës së ngushtë. Kur është parë nga drejtuesi i mjetit, ai bashkë me djalin e tij janë ndaluar dhe janë përpjekur të gjejnë ujë. Ato e kanë përplasur mjetin në një gropë me ujë, por dhe kjo nuk e ka evituar djegien e tij. Ndërkohë flakët kanë djegur jo vetëm mjetin por janë përhapur me shpejtësi nëpër territoret e mbjella dhe i janë afruar banesave. Dy zjarrfikësë nga Kopliku dhe tre nga Shkodra kanë shkuar për të bërë të mundur ndalimin e zjarrit. Janë djegur mijëra hektarë kullota, pemë frutore, si dhe pesë banesa të vjetra, në të cilat nuk jetonin njerëz por përdoreshin për të mbajtur ushqime për bagëtitë. Terreni i malor e ka bërë të vështirë punën për shuarjen e zjarrit, ndërsa janë aktivizuar dhe banorët e zonës. Mësohet se është komunikuar me institucionin e prefektit për të bërë të mundur angazhimin e ushtrisë për shuarjen e këtij zjarri, por ky ka thënë se ushtria ndërhyn vetëm me kërkesë të pushtetit vendor. Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa ekziston rreziku i rishfaqjes së tij. Djegies nuk i kanë shpëtuar varrezat e fshatit Grizhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›