E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, flakët shkrumbojnë tre shtëpi

Zjarret kanë përfshirë lagjet periferike të Sarandës dhe Delvinës duke shkaktuar panik tek banorët e tyre

SARANDË- Zjarret në rajonin jugor të Sarandës kanë ditë që djegin sipërfaqe të ndryshme pyjore e kullosore por dje kanë rrezikuar edhe banesa në periferi të qytetit. Ka qenë mesdita e djeshme kur banorët e lagjes periferike e quajtur Lagja e Gjashtës, të llahtarisur nga hyrja e flakëve në oborret e shtëpive të tyre, kanë njoftuar zjarrfikësen. Tmerri dhe frika nga djegia ka kapur jo vetëm banorët e lagjes së përfshirë nga flakët, por edhe gjithë banorët e qendrave të banuara Gjashtë e Metoq, të cilët me mjete rrethanore, bidonë, kova e enë të tjera kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Zjarri i ndihmuar edhe nga era që frynte nga deti në tokë ka ndihmuar në zgjerimin e sipërfaqes që digjej. Megjithëse në vendngjarje kanë mbërritur tre zjarrfikëset e qytetit dhe zjarrfikëset e Delvinës, dy banesa nuk kanë mundur t’i shpëtojnë djegies.

Pronari i njërës prej banesave të djegura, Faik Beduli, thase “Nga sot familja ime ka mbetur në qiell të hapur dhe më e keqja është se nuk dimë kujt t’i drejtohemi për ndihmë, pasi nuk dimë kush e vuri zjarrin”. Nga zjarri janë djegur edhe gjashtë viça dhe gjithë zahireja e dimrit. Në orët e vona të pasdites u arrit të shuhet zjarri. Por vetëm një orë pas shuarjes së zjarrit në Qafë Gjashtë, flakët janë parë në fshatin Lefterhor. Mësohet se edhe këtu është djegur një shtëpi banimi si dhe një sasi e konsiderueshme e ullinjve në periferi të fshatit. Zjarri ka vazhduar edhe gjatë orëve të natës duke rrezikuar lagjen periferike të Delvinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›