E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, zjarri rrezikon të djegë 13 banesa

Flakët e para janë konstatuar në fshatin Andon Poçi dhe më pas janë përhapur në të gjithë zonënGJIROKASTËR- Orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë regjistruar dy vatra të mëdha zjarri në rrethin e Gjirokastrës. 13 banesa të fshatit Palokastër e disa të tjera në fshatin “Andon Poçi” janë rrezikuar seriozisht, por fatmirësisht ndërhyrjet kanë bërë të mundur shmangien e fatkeqësisë. Ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Mësohet se zjarri është shfaqur fillimisht në orët e vona të mbrëmjes së të dielës në kodrat e fshatit “Andon Poçi” të rrethit Gjirokastër. Pas lajmërimit, në vend kanë shkuar inspektorët e Policisë së Rendit të cilët kanë konstatuar se zjarri ishte shumë larg rrugës, dhe automjetet zjarrfikëse nuk hynin dot. Zjarri ka vazhduar përgjatë gjithë natës dhe si pasojë e erës së fortë në orët e para të mëngjesit, zjarrii është afruar sipërfaqeve të mbjella me vreshtari të fshatit “Andon Poci”, si dhe është përhapur edhe në drejtime të tjera ku rrezikoheshin edhe disa banesa. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se mëngjesin e djeshëm në vendngjarje kanë shkuar tre automjetet e repartit zjarrfikës, forcat e Policisë dhe të Drejtorisë Pyjore. Me ndërhyrjen e repartit zjarrfikës është bërë i mundur lokalizimi i disa drejtimeve të zjarrit, të cilat përparonin drejt fshatit. Më pas, punonjësit e repartit zjarrfikës, të policisë dhe disa banorë kanë bërë të mundur që me mjete rrethane, pasi mungonte rruga automobilistike, të shuajnë zjarrin që kishte drejtimin për në vreshtat e këtij fshati. Pas aksionit, rreth orës 10.00, të gjitha vatrat e zjarrit përreth këtij fshati janë vënë nën kontroll deri në fikjen e plotë të tyre. Si pasojë e flakëve në fshatin “Andon Poçi” janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe kullosore dhe disa pemë frutore. Por vetëm një orë më pas, një tjetër vatër është aktivizuar. Ka qenë një bari i cili po kulloste bagëtitë në lumin Drino përballë fshatit Palokastër që ka kërkuar ndihmë nga policia, pasi zjarri ishte afruar në drejtim të bagëtive. Në vend shkuan zjarrfikësja dhe forcat e policisë të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Ndërkaq, në mesditë zjarri ka përparuar ndjeshëm në drejtim të fshatit Palokastër dhe si pasojë e erës së fortë, shkëndijat kanë shkaktuar një vatër zjarri në anën tjetër të lumit, në fundin e këtij fshati. I ndihmuar nga era është përhapur me shpejtësi dhe ka rrezikuar 13 banesa të këtij fshati. Ndërhyrja në kohë e tre automjeteve zjarrfikëse, ka frenuar flakët duke bërë të mundur që banesat të mos përfshiheshin nga flakët. Zjarri ka përfshirë rreth 5 hektarë sipërfaqe kullosore, disa bahçe të banorëve, një kasolle dhe ka përshkuar varrezat e këtij fshati. Vetëm pasdite është bërë e mundur shuarja e plotë. Burime konfidenciale nga policia e Gjirokastrës kanë bërë të ditur se në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar dhe po merren në pyetje tre persona, barinj, të cilët dyshohen si zjarrvënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›