E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohen dy fëmijë, vdes në spital 2 vjeçari

Në Spitallë të Durrësit një fëmijë 2 vjec u përplas nga një makinë. Po në të njëjtën kohë në fshatin Sukth të Durrësit një 6 vjecar pesoi te njetin fat. Mësohet se 2 vjecari nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale 

DURRËS- Fëmija 2 vjeçar, që u aksidentua në orët e para të mëngjesit në Durrës, nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërkohë që mjekët janë të shqetësuar lidhur me gjendjen shëndetësore të një fëmijë tjetër që u aksidentua pothuajse në të njëjtën kohë, në një nga rrugët e fshatit Sukth.
"Gj.K, lindur dhe banues në lagjen nr.15 ndërroi jetë në spital rreth orës 12:30", thanë burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut. I mituri u përplas nga një automjet tip "Land Rover", me targë TO 81602, që drejtohej nga shtetasi Zamir Bajrami, 36 vjeç. Nga të dhënat e para mësohet se në momentin e aksidentit, i mituri ndodhej larg vëmendjes së nënës së tij, në një nga rrugët e lagjes periferike të Spitallës.
Ndërsa 6 vjeçari D.L, i aksidentuar në një nga rrugët e fshatit Sukth vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Burimet thanë se shtetasi Gjergj Bushi, 62 vjeç, i cili drejtonte automjetin tip Benz me targë DR 8416 D dhe që kishte transportuar në spital 6 vjeçarin, është shoqëruar në mjediset e komisariatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›