E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet, Ministri i Shëndetësisë skanerin në privat

TIRANE-Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Shëndëtësisë kurohet te Spitali Amerikan, ndërsa titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë, Vasili e Pipero të përfshirë në aksidentin e djeshem te Elbasanit, janë jashtë rrezikut për jetën, njofton sot e perditshmja Gazeta Shqiptare. 

Burime per te perditshmen thone se për ta konfirmuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, u është dashur që skanerin dhe rezonancën magnetike ta bëjnë në një spital privat, pasi ai i Ushtarakut nuk ishte në funksion.

Më pas ata janë shtruar në pavijonin VIP të spitalit Ushtarak ku do të mbahen për 24 orë nën vëzhgim, për të evituar çdo të papritur. Edhe mjekët që po ndjekin nga afër situatën shëndetësore të të aksidentuarve, sqarojnë se përveç disa shenjave fare të lehta, ata nuk kanë asgjë që mund të përbëjë rrezik për shëndetin e tyre. Pipero, drejtori i QSU-së ka dalë nga spitali, ndërsa ministri Vasili e shefi i kabinetit duhet të mbahen 24 orë në kontroll.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Drejtori i Politikave Shëndetësore në këtë ministri, Pëllumb Pipero, janë plagosur në një aksident rrugor të ndodhur dje paradite në aksin Peqin - Elbasan.
Policia thotë se makina në të cilën udhëtonte ministri i Shëndetësisë është përplasur rreth orës 10:00 të paradites së sotme me një makinë tjetër, tip furgon me targa kosove, KS 02203 AN, në vendin e quajtur Papër.
Ministri Vasili po udhëtonte drejt Elbasanit për një takim pune së bashku me zotin Pëllumb Pipero, ndërsa në makinën tjetër udhëtonin katër qytetarë nga Elbasani.
Nga të dhënat e para mësohet se në aksident kanë mbetur të plagosur 7 persona.
Ministri Vasili ka marrë plagë të lehta, ndërsa më rëndë, ( megjithëse jashtë rrezikut për jetën) është gjëndja shëndetësore e këshilltarit të tij, Pëllumb Pipero, 55 vjec.
Nga personat që udhëtonin në furgon dhe që janë plagosur janë Fatmir e Kastriot Duka, 22 dhe 42 vjec dhe Faik Cota nga Elbasani, 78 vjec.
Makina e ministrit, tip benz C 0140 V e drejtuar nga Andi Harizaj, 29 vjec, ka pësuar dëmtime të rënda nga pjesa e përparme. Korrespondeti i NEWS24, Fatmir Popja informoi se hapja e menjëhershme e airbeg-ve i ka shpëtuar jetën pasagjerëve që udhëtonin në makinën qeveritare, duke bërë që dëmtimet të mos jenë serioze.
Ministri Vasili së bashku me zotin Pipero janë transportuar në spitalin e Elbasanit, dhe më pas me helikopter pritet të transportohen drejt Tiranës për tju nënshtuar një kontrolli mjekësor të hollësishëm.

Nga të dhënat e para, policia thotë se aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë veprimi të gabuar të drejtuesit të mjetit me targa kosove.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›