E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardistët në arrest shtëpie, dosja në Gjykatën e Lartë

TIRANE-  Dosja ‘21 janari’, ku në rrethimin e jashtëm të godinës së Kryeministrisë u vranë katër demonstrues, mbërrin në Gjykatën e Lartë. Një kolegj penal do të vendosë për fatin e tre gardistëve, Sadik Çela, Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli, të cilët qëndruan pak ditë pas hekurave dhe rifituan lirinë me një vendim të Gjykatës së Apelit. Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar rikthimin në burg të tre efektivëve të Gardës, të cilët dyshohen si përgjegjës për tri nga vrasjet e ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ditën e demonstratës së ‘Opozitës së Bashkuar’. Në fakt, lirimi nga Gjykata e Apelit erdhi për shkak të mungesës së provave dhe fakteve ndaj tre gardistëve. Prokuroria nuk arriti të vërtetonte se nga plumbat e qitur nga armët që kishin në përdorim gardistët Mark Nikolli, Sadik Çela e Gazmend Ahmetaj, të kishin gjetur vdekjen demonstruesit Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Duke iu referuar aktekspertimeve, rezulton se në trupin e viktimës Deda nuk është gjetur predha pasi kjo ka qenë tejshpuese, ndërsa predha që i është hequr Aleks Nikajt nga mjekët turq, ende nuk është sjellë në Shqipëri. Gjithashtu nuk është përcaktuar ende se nga cila armë është qëlluar. Megjithatë, prokuroria kërkon nga gjykata të caktojë ndaj tre personave nën hetim masën e sigurisë “arrest me burg” dhe rikthimin e tyre në qeli, gjë që ka pak gjasa të ndodhë. Deri më tani i vetmi nga efektivët e Gardës që ndodhet në qeli është Agim Llupo, shefi i Shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›