Aksidentohet familja nga Kavaja, një i vdekur tre të plagosur
DURRES - Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Durrës, në vendin e njohur si Plepat, ku ka mbetur e vdekur 68 vjeçarja, Naflije Laçi si dhe janë plagosur rëndë i shoqi dhe dhëndri i saj. Po kështu ka mbetur e plagosur edhe një grua që mendohet të jetë shkak i këtij aksidenti, 57 vjeçarja Sheqeri Edispeti.
Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00, kur automjeti tip Benz me targa të Kavajës 6734 A që drejtohej nga 47 vjeçari, Namir Gjoci, po udhëtonte në drejtim të Durrësit. Automjetit i ka dalë parë këmbësorja, Sheqeri Edipspeti. Shoferi në tentativë për të shmangur përplasjen me të, ka devijuar duke u goditur me një plep anës rrugës. Kjo përplasje ka qenë fatale për vjehrrën e shoferit që gjendej në automjet, e cila vdiq në vend. Ndërsa bashkëshorti i saj, Shyqyri Laçi po ashtu pasagjer bashkë me drejtuesin e mjetit janë në spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore. Plagë ka marrë edhe këmbësorja e cila është transportuar me urgjencë në spital.
Policia në vendin e ngjarjes po heton mbi aksidentin e rëndë, dhe nga të dhënat e para rezulton se automjetit i është ndërprerë rruga nga një këmbësor dhe nga devijimi automjeti është përplasur me pemën dhe më pas ka përfunduar në kanal.