E Diel, 1 Nëntor 2026

“Procesi i liberalizimit të vizave, Shqipëria e meriton”

21/09/2009  Eurodeputetja Pack e quan absurde zvarritjen e procesit

Ajo është njëra prej nënshkruesve të peticionit për ndryshimin e vendimit të KE-së.

“Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave, çdo zgjatje e procesit është absurde dhe nuk justifikon progresin e këtij vendi vitet e fundit.” Kjo ka qenë deklarata e fundit e europarlamentares Doris Pack pas një debati në Parlamentin Europian mbi procesin e liberalizimit të vizave. Ajo ka kundërshtuar idenë e disa përfaqësuesve të Brukselit për të zvarritur regjimin e vizave për disa nga vendet e rajonit të Ballkanit. “Shqipëria nuk duhet të përjashtohet nga lista e vendeve që mund të përfitojnë menjëherë nga heqja e regjimit të vizave”, - ka deklaruar europarlamentarja gjatën një prononcimi për mediet. Ajo e ka konsideruar absurd dhe të papranueshëm idenë për zgjatjen e procesit të heqjes së regjimit të vizave për disa vende në Ballkan dhe favorizimin e tepruar ndaj disa të tjerëve. “Ballkani është një rajon kaq i ngushtë, prandaj dallimi që bëhet mes vendeve anëtare të tij prej BE-së duket i ekzagjeruar dhe i pakuptimtë. Nuk besoj se mund të bëhen dallime kaq të mëdha në një rajon kaq të ngushtë”, - ka përfunduar Pack. Disa ditë më parë më shumë se 2000 veta nënshkruan një iniciativë që propozon ndryshime mbi vendimin e Komisionit Evropian lidhur me heqjen e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Qasja aktuale e Komisionit Evropian rrezikon destabilizimin e Evropës Juglindore dhe mund të rrisë tensionet në një shoqëri të brishtë”, - thuhet në deklaratën e një sërë personalitetesh të njohura evropiane. Ata kërkuan heqjen e vizave sa më shpejt për të gjitha vendet e Ballkanit dhe jo vetëm për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Midis nënshkruesve të peticionit ishte edhe eurodeputetja Doris Pack.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›