Pedagogët e Vlorës: Ndaloni rektorin Shaskaj
Pedagogët i kanë dërguar një peticion kryeministrit Berisha duke i kërkuar të marrë masa në lidhje me rektorin e universitetit
VLORË- Tetë pedagogët më të vjetër të matematikës të universitetit të Vlorës i kanë drejtuar një peticion kryeministrit Berisha duke u ankuar për rektorin Tanush Shaskaj.
Ky i fundit është bërë personazh mediatik edhe gjatë ditëve të fundit ku ka vendosur që të mos pranojë në universitet studentë që kanë mesataren më të ulët se 6. Në rastin e tetë pedagogëve, ata ankohen se rektori nuk ndodhet asnjë herë në zyrë dhe gjithmonë drejton nga jashtë Shqipërisë.
"Jemi tetë pedagogët më të vjetër të matematikës, krijues të universitetit të Vlorës që po Ju drejtojmë këtë peticion për të denoncuar qëndrimet arbitrare e skandaloze të rektorit të universitetit të Vlorës, të cilin ne vetë e mbështetëm pa rezerva në zgjedhjen e tij, me mendimin që ky ish matematikan që vinte nga SHBA si idealist, për këto motive, jemi të bindur, që e mbështetët dhe Ju. Por menjëherë u zhgënjyem, pasi ai nuk ka asgjë me idealin për të ndihmuar Vlorën.
E quajtëm një lajthitje vendimin për heqjen e emrit të I. Qemalit, por më vonë vumë re se kjo ishte një shfaqje e egoizmit të tij të sëmurë",- thuhet në letrën e firmosur nga tetë pedagogët. Sipas tyre, Shaskaj nisi ta drejtonte universitetin me internet nga SHBA, duke qëndruar dy javë në universitet dhe dy muaj në SHBA, në një kohë kur pedagogët pushohen nga puna për një orë mungesë.
"Ai i merr pedagogët në punë, duke mos përfillur rregullat dhe instancat kompetente, siç janë departamentet, dekanatet. Ai heq e emëron pa pyetur njësitë që e kanë në kompetencë këtë gjë. Veprimet e tij skandaloze nuk kanë të sosur.
Kështu, ai vendosi të testonte veten në se e votonin më dhe për këtë vendosi kandidaturën për anëtar të këshillit të fakultetit të shkencave, ku bënë pjesë dhe ai si pedagog matematike, dhe si rezultat, nga 40 pedagogë, e votuan vetëm tre.
I ofenduar dhe i turpëruar, ai vendosi të hakmerret me departamentin e matematikës, duke pushuar gjithë ne pedagogët e vjetër (tetë) që kanë mbajtur universitetin qysh nga fillimi dhe që nuk e braktisën as në 1997-ën",- thuhet në peticion. Kërkesa kryesore e tetë pedagogëve është që të ndërhyet nga ana e kryeministrit për të ndaluar veprimet e rektorit Shaskaj
PEDAGOGËT FIRMËTARË
Engjell HASIMAJ
Sokol MEMETAJ
Vasil MINO
Pëllumb ISLAMAJ
Llambrini ANDREA(SOTA)
Polikseni ILIADHI
Alma KASNECI
Hasan MEHMETI