E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet fëmija, shoferi e braktis në rrugë

Aksidenton rëndë një fëmijë, autori largohet me shpejtësi nëpër natë nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes të së hënës, në fshatin Shkallnur të Durrësit. Mësohet se i lënduari është 9-vjeçari me iniciale A.G., banor i këtij fshati. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se i mituri ka qenë duke ecur në rrugën automobilistike pranë fshatit Shkallnur. Në momentin kur ka tentuar të kalojë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, ai është përplasur nga një makinë që udhëtonte me shpejtësi në drejtimin e plazhit të Durrësit. Pas ngjarjes, makina është larguar menjëherë, pa ndihmuar vogëlushin. Kanë qenë kalimtarët e rastit që kanë ndihmuar fëmijën, e përplasur përtokë, duke e dërguar për në spitalin rajonal të Durrësit. Pas ndihmës së parë, fëmija është dërguar nga bluzat e bardha për në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku mund të marrë mjekim më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Ndërkaq, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›