Përmbyset traktori, vdes bujku 16-vjeçar
Kthehej nga puna në arë, gjen vdekjen i shtypur nga traktori. Një i ri nga fshati Brenogë i Komunës Fajza të rrethit të Hasit ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasditen e së hënës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur 16-vjeçari Feriz Shuti, i cili ka qenë duke punuar me traktorin e familjes, një tip zetori me rrota, ndërsa kthehej nga ara, është përmbysur në një kthesë. I mituri ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndonëse familjarët e tij kanë ndërhyrë menjëherë. Por kur të afërmit kanë mundur ta nxjerrin, vetëm pak minuta më vonë, djali kishte ndërruar jetë nga shembjet e shumta që kishte marrë nga pesha e mjetit bujqësor. Në rrethin e Hasit ky është aksidenti i dytë me traktor që ndodh në harkun kohor të pak viteve. Në të njëjtën komunë, tre vjet më parë, ndërsa punonte në arë, një bujk gjeti vdekjen, pasi është përmbysur me traktor.