E Shtunë, 31 Tetor 2026

TE PRESESH ME ANKTH PUSHTETIN

Ndërsa procesi i numërimit të votave zgjatet pambarimisht, entuziazmit fillestar dhe shpërthyes të fanatikëve ia ka zënë vendin një pritje e heshtur dhe e ankthshme. Si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, shqiptarët e ndarë në dy kampe po ndjekin me tension të pazakontë luhatjen e peshores së numërimit të votave, herë nga njëri krah dhe herë nga tjetri. Gara është shumë e ngushtë dhe shihet qartë se vetëm një fill i hollë votash është ai që ndan fituesin nga humbësi. Por për jo pak shqiptarë, ai fill duket sikur është filli i jetës apo i fatit. U duket se po të këputet filli i partisë dhe liderit të adhuruar, edhe fati i tyre i nesërm do të jetë i zi. Përse vazhdon mes shqiptarësh kjo lidhje gati fatale me partinë, pushtetin, udhëheqësin? Përse nuk po këputet kjo lidhje që e bën individin ta mbrojë partinë, liderin dhe pushtetin e tyre me atë tërbim që mbrohet jeta? Përse disfata e partisë dhe e liderit vazhdon të jetë një lajm kaq ogurzi edhe për individin? Kishim besuar se me rënien e komunizmit e të "pushtetit popullor" do të fashiteshin edhe pasionet për ta mbrojtur pushtetin "edhe me gjak". Por nuk po ndodh kështu. Kjo anomali e ka një shpjegim. Dhe më shumë se me mendësinë e prapambetur të një pjese të shoqërisë, ajo lidhet me faktin që pushteti vazhdon të jetë një faktor shumë përcaktues në fatin e njeriut. Në Shqipëri pushteti vazhdon të ketë pushtet të të ndryshojë jetën.

***

Dy ditë më parë, ndërsa shprehej entuziast për cilësinë e zgjedhjeve, Berisha deklaroi se në përfundim të tyre "nuk do të ketë të humbur". Fjalë të bukura, por aspak të vërteta. Të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, e dinë se shumëkush nga ata që nuk janë në kampin blu, do u përkasin të humburve, në rast se fiton Berisha. Ndërkaq, mbështetësit e Berishës e dinë se do të jenë ata fituesit, nëse fiton Berisha. Prandaj vërshuan nëpër rrugë me vetura e flamuj ende pa nisur numërimi i votës së përflakur me entuziazëm nga një thashethemnajë sondazhesh. Brohorasin dhe i gëzohen pushtetit të ri që do t‘u gjejë një vend pune, që do të mund t‘i bëjë pronarë apo do t‘u japi një licencë biznesi. Ndërkaq, në kampin rozë fitorja e Berishës përfaqëson për jo pak vetë një kob. Dhe jo thjesht për fobi ideologjike, por sepse është një pushtet që do t‘i urdhërojë të largohen nga puna (nga burimi ndoshta i vetëm i bukës së fëmijëve) për t‘ia lënë vendin një militanti të PD-së apo një tjetri që ka paguar ryshfet për ta marrë atë vend pune. Dikush tjetër dëshpërohet se do t‘i duhet të përballojë një presion selektiv fiskal mbi biznesin e tij nga një pushtet që e sheh, si dikur pushteti popullor kulakun. Një tjetër trembet për fatin e pronës që nuk e ka marrë ose nuk do ta marrë kurrë, vetëm sepse nuk është i preferuar i pushtetit. Të gjithë këta nuk mund të mos ndihen të humbur. Në të njëjtën formë, por ndoshta jo në të njëjtën shkallë, ndihen të kërcënuar shumë të djathtë nga një fitore e mundshme e së majtës dhe e Edi Ramës. Prandaj, pavarësisht nga premtimet demagogjike të liderëve, të gjithë përpiqen të hedhin fall të nesërmen e tyre në llumin e filxhanit të kafesë së liderit apo të partisë. Është ky determinim fatal i fatit të njeriut nga pushteti dhe jo i fatit të pushtetit nga njeriu, prapambetja sa thelbësore aq edhe reale e Shqipërisë dhe e demokracisë që ajo përpiqet të krijojë. Dhe në rast se nuk përmbyset ky raport, në rast se fati i njerëzve nuk fiton lirinë relative nga fati i pushtetit dhe, nëse fati i pushtetit nuk përcaktohet realisht nga njerëzit, shteti nuk do të mund të përparojë. Po si mund të ndodhë ky transformim emancipues, si për pushtetin, ashtu dhe për njerëzit?

***

Vetëm nëse kufizohet mbifuqia e pushtetit, vetëm nëse kufizohet "pushteti" i pushtetit qeveritar mbi jetën e njerëzve. Dhe për këtë nuk ka rrugë tjetër - të paktën këtë ka treguar përvoja e demokracisë perëndimore - veç asaj të mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të njeriut nga institucione të pavarura nga pushteti, që kontrollojnë, baraspeshojnë dhe kufizojnë pushtetin. Ndër to, më i rëndësishmi është pushteti i drejtësisë. Një pushtet, një qeveri mund të jenë të prirur, për shkak të arrogancës ideologjike apo korruptive, për të dhunuar një qytetar në të drejtën e tij të punës apo të pronës, edhe në kundërshtim me ligjin. Por ky pushtet qeveritar do të dështonte, nëse një pushtet i pavarur drejtësie do të dilte në mbrojtje të qytetarit. E nëse gjërat vazhdonin kështu, nëse pushteti nuk do të kishte fuqi (pushtet) për të cenuar të drejtat e njeriut dhe ligjin, vetë pushteti do niste të emancipohej, e nga sundues i fateve private të njerëzve do të shndërrohej në një pushtet thjesht qeverisës të punëve publike. Ndikimi i tij mbi fatin e qytetarit do të ishte i tërthortë dhe jo i drejtpërdrejtë, publik dhe jo privat, i përgjithshëm dhe jo selektiv, barazimtar dhe jo diskriminues, i drejtë dhe jo i padrejtë, lirisjellës dhe jo skllavërues. Dhe kur pushteti të pushojë së qeni një sjellës i fatkeqësisë për disa dhe fatmirësisë për ca të tjerë, do të nisë të fashitet edhe fanatizmi i disave për një pushtet dhe urrejtja për pushtetin tjetër. Njerëzit do të nisin të votojnë jo pushtetin e qeverisë, por qeverisjen e pushtetit. Dhe vetëm atëherë nuk do të ketë të humbur dhe gjithashtu, as edhe ankth se kush do të fitojë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›