E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalbja e sistemit gjyqësor

Deri më tani ishte menduar se sistemi gjyqësor në Kosovë, i cili padyshim është i kalbur, kërkon vetëm reforma për ta bërë atë më efikas dhe për ta dinamizuar punën në gjykata. Por, disa "margaritarë" të ditëve të fundit dëshmojnë se ka drejtues institucionesh gjyqësore, të cilët kanë konceptim despotik për pushtetin e tretë. Logjika kthehet në periudhën parakantiane. Idetë janë shfaqur jo për pavarësimin më të plotë të gjykatave, por për varësinë e tyre nga pushteti politik. Përderisa ditë më parë, Kryeprokurori i Kosovës çuditërisht e pranon si të mirëqenë varësinë e Prokurorisë nga ekzekutivi, kryegjykatësi i Qarkut të kryeqytetit jep sinjale absurde për diskutimet "konfidenciale", që bëhen për mundësinë e kthimit të gjykatave të Kosovës nën autoritet të UNMIK-ut. Logjika këtu është e varësisë së gjyqësorit nga pushteti politik, por edhe një cenim kushtetues. Këtu nuk kërkohet mbështetje politike për pavarësinë më të madhe të gjykatave nga ndikimi politik, por disa gjykatës të mësuar të veprojnë nën tutelën e ish-sistemit, nuk e konceptojnë punën e tyre të pavarur nga dy pushtetet dhe të varur ekskluzivisht nga ligji në punën e tyre.

Dy shqetësime ngrihen këtu, të cilat padyshim që duhet të jenë mjaft sensibilizuese edhe për opinionin e gjerë në hapat e konsolidimit të shtetit të së drejtës. E para, ajo e pavarësisë së sistemit gjyqësor nga pushteti politik (ndarja e pushteteve) si një përpjekje e vazhdueshme. Vendet paskomuniste përpjekjet më të mëdha i bëjnë pikërisht në pavarësimin e gjykatave dhe efikasitetin e tyre si shtyllë kryesore e shtetit të së drejtës. Në Kosovë, Këshilli Gjyqësor është kategori kushtetuese që mëton të garantojë pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor. Ky këshill, të paktën siç e përkufizon akti themeltar ligjor, është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij dhe siguron që gjykatat të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme. Por, disa gjykatës në mungesë profesionalizmi, përgjegjësie e guximi, duket se ndihen më të rehatshëm duke vepruar nën një mbrojtje politike, duke dëmtuar rëndë sistemin e pavarur dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Roli i gjykatave në një vend demokratik nuk është që të krijojnë një trup gjyqësor shtesë për të dekretuar preferencat e shumicës, por roli i tyre është identifikimi dhe mbrojtja e të drejtave në përputhje me ligjet pozitive dhe shpeshherë kontrollimi dhe kufizimi i preferencave të shumicës. Megjithatë, në praktikë kërkesa e ndonjë gjykatësi për të pasur mbështetje politike në punë, e jo në punën e pavarur, dëshmon për një mendësi jodemokratike, për një rehati të kërkuar në punën e sistemit gjyqësor në varësi politike. Ky është koncepti fatkeq i drejtësisë tek disa individë që pretendojnë të ndajnë drejtësi dhe të luftojnë krimin. Dhe këtu mbase është e tepërt të kujtohet thënia e vjetër dhe e padiskutueshme kantiane se mjeti kryesor për të shmangur despotizmin politik është ndarja e pushteteve. Pra, nuk ka ngritje të shtetit të së drejtës pa zbatimin e drejtë të ligjit apo funksionimit të pavarur të gjykatave. Të kota do të ishin dy pushtetet e tjera, ai ekzekutiv dhe ligjvënës, kur pushteti gjyqësor praktikisht është jofunksional. Kur ky sistem është i tillë, aty sundon anarkia, pasiguria, aty nuk mbrohet prona, jeta e dinjiteti.

Shqetësimi i dytë është sa banal aq edhe jokushtetues, i cili kërkon t‘i kundërvihet sistemit unik gjyqësor të Kosovës, duke lejuar sovranitete inekzistente si ai i Serbisë apo i UNMIK-ut. Këto bartin një konfuzion fatal midis konceptit të të qenit i detyruar (të pasurit një detyrim) për të bërë diçka në mënyrë të pavarur dhe të garantuar me aktin themeltar të shtetit dhe, e dyta, të qenit i shtrënguar (i detyruar me forcë), për të mos lejuar sisteme paralele gjyqësore. Ligji nuk duhet identifikuar me një urdhër të çfarëdollojshëm, por një vullnet suprem të cilit i nënshtrohen të gjithë. Natyrisht, ne duam t‘i dallojmë ato urdhra të shtetit që përfaqësojnë ligjin nga urdhrat e paligjshme të lëshuara nga pretendues të kufizimit të sovranitetit shtetëror. Ligji është një urdhër i sovranit dhe idetë apo edhe aktet për sisteme paralele gjyqësore bien ndesh me sovranin dhe kjo përplasje kërkon hapa të vendosur për respektimin e Kushtetutës. Në këtë rast duhet të tregohet e vendosur politika dhe ekzekutivi, sepse nuk mund të tolerohet më sfidimi i një vullneti sovran, aq më shumë kur sinjale të tilla vijnë nga brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›