Rrugët me borë, rrezikohet pacienti
KUKES - Bllokimi i rrugëve i ka rrezikuar jetën një 31-vjeçari nga Kukësi. Punonjësi i filialit elektrik, A.Gjana, ka pësuar një infarkt dhe sipas mjekëve të Kukësit i duhej ndihma e shpejtë mjekësore. Ndonëse është kërkuar ndihma e një helikopteri, kjo kërkesë nuk u realizua, me argumentimin se bëhej fjalë për një mot me mjegull. Të afërmit e tij kërkuan ndihmë te përfaqësuesit e firmës së autostradës, "Bechtel & Enka", të cilët vunë në dispozicion të së sëmurit një makinë fuoristradë. Por peripecitë kanë vijuar gjatë rrugës kur në Qafë-Shllak, sapo kalon kufirin e Kukësit për në Pukë, rruga është bllokuar nga një automjet i rëndë dhe të sëmurit i është dashur të presë gati 1 orë derisa është krijuar një korridor, që ka bërë të mundur daljen vetëm të makinës që transportonte të sëmurin. Të afërmit e tjerë dhe gjithë automjetet në të dyja krahët, mëse 100 të tilla kanë pritur për rreth dy orë për t'u hapur rruga. Edhe prania e forcave të policisë dhe borëpastruesve e ka bërë të pamundur zhbllokimin e situatës. Udhëtarët janë detyruar të presin në dëborë dhe në temperatura deri në -10 gradë. Ndonëse reshjet e borës janë ndërprerë prej disa ditësh, temperaturat e ulëta nuk kanë mundësuar shkrirjen e borës, duke lënë ende rrugët nacionale e komuna të bllokuara. j.h