Aksidentoi 42- vjeçarin, kosovari rrihet nga dasmorët
PEQIN- Aksidentoi një shtetas, rrihet nga dasmorët shoferi kosovar. Ngjarja ka ndodhur dje në afërsi të një lokali në aksin rrugor Elbasan-Peqin në fshatin Palaj. Automjeti tip Audi me targa “CS 131 GF” i drejtuar nga shtetasi Gëzim Xhaka 33 vjeç me banim në Podujevë të Kosovës ka aksidentuar shtetasin Mislim Rizvani, 42 vjeç me banim në Librazhd. Sipas të dhënave të policisë, 42- vjeçari ka qenë në një dasmë dhe po udhëtonte në anë të rrugës bashkë me disa persona të tjerë kur është përplasur nga automjeti. Burime nga vendngjarja pohojnë se shtetasi kosovar ka ndaluar menjëherë pas aksidentit, por më pas ai është rrahur dhe keqtrajtuar nga dasmorët e tjerë duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Në vendngjarje ka arritur policia e cila ka qetësuar gjendjen. I lënduari është transportuar për në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndaj Gëzim Xhakës është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Sipas të dhënave shtetasi kosovar ka sqaruar para grupit hetimor se gjithçka ishte një pakujdesi e kalimtarit. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga dasmorët e tjerë. Gëzim Xhaka ka pasur pretendime ndaj dhunës së ushtruar ndaj tij. Ky është aksidenti i katërt i shkaktuar brenda dy ditëve nga shtetas të huaj në rrugët e Elbasanit.