E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, lista e lëvizjeve nga Topi

Kreu i shtetit nuk firmos ende për kandidatin e Berishës, Mal Berisha. Lirohen nga detyra Peka, Aliçka, Turdiu dhe Gjonaj

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka gati listën e lëvizjeve të fundit të ambasadorëve shqiptarë të akredituar jashtë vendit. Mësohet se në këtë fund muaji, Kreu i Shtetit ka firmosur për lirimin dhe emërimin e disa ambasadorëve. Edhe pse asgjë nuk është zyrtare, burime pranë Presidentit deklaruan dje për gazetën se janë hedhur firmat për lëvizjen e pesë ambasadorëve, të akredituar në vende të rëndësishme si Franca, Gjermania apo edhe Kina.

Mal Berisha ende pezull

Në listën e ambasadorëve të dekretuar mungon emërimi i kandidaturës së firmosur ngakryeministri, ai i Mal Berishës për të qenë ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Burimet njoftuan se Presidenti i Republikës ka firmosur për lirimin nga detyra të Ambasadorit në Gjermani, Gazmend Turdiu, i cili qëndronte në këtë detyre prej vitit 2002. Që nga 15 korriku, Turdiu mësohet se është kthyer në Shqipëri, duke bërë që Tirana zyrtare të ketë sekretarin e parë të ambasadës, titullarin më të lartë. Në fakt kjo situatë duket se do të vazhdojë pak gjatë, pasi në listën e dekreteve deri më tani nuk figuron që Presidenti Topi të ketë firmosur emërimin në të njëjtën detyrë të kandidaturës së propozuar nga kryeministri Sali Berisha. Kandidatura e Mal Berishës ka kaluar në filtrin e Komisionit të Punëve të Jashtme, megjithatë përpos mbështetjes së mazhorancës, ai është kontestuar së tepërmi nga ana e opozitës, duke ecilësuar atë si kandidaturë politike dhe jo diplomat karriere.

Ambasadoret e liruar

Në listën e ambasadorëve të liruar bie në sy edhe emri i Manxhun Pekës, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, një diplomat karriere që ka shënuar jo pak suksese në aktivitetin e tij diplomatik. Nuk dihen arsyet e lirimit të tij nga kjo detyrë, ndërkohë që po aq enigmë mbetet edhe kandidati që do ta zëvendësojë atë. Ylljet Aliçka është emri i ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën Franceze i cili është liruar nga kjo detyrë për t’u emëruar në një tjetër detyre diplomatike, si Shef Misioni në Republikën e Shqipërisë pranë UNESCO-s. Nga kjo detyre është liruar znj.Tatjana Gjonaj e cila do të rikthehet në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dekretet e fundit të Presidentit të Republikës janë një e drejtë kushtetuese e këtij të fundit, pasi nëbazë të nenit 92 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, ai emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare.

Lirohet Ylljet Aliçka

Ambasador

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën Franceze

Emërohet Shef Misioni i Republikës së Shqipërisë pranë UNESCO-s

Lirohet nga kjo detyrë Tatjana Gjonaj

Lirohet Gazmend Turdiu nga detyra e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë

Lirohet Manxhun Peka nga detyra e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›