Agjenti i infiltruar kap trafikantët me 500 g heroinë
TIRANË- Policia e Tiranës, me ndihmën e agjentit të infiltruar si blerës droge, arrestoi mesditën e djeshme dy “shitës” të lëndëve narkotike në kryeqytet, duke i sekuestruar atyre 500 gram heroinë dhe 2 kg hashash. Sipas burimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë, pas një hetimi disa javor, agjentët e luftës kundër drogës kanë arritur të prangosin në kodër Kamzë dy “shitësit” e lëndëve narkotike, shtetasin Arben Sulka dhe studentin e juridikut Gerion Grabovaj. Ata janë kapur teksa po dorëzonin mallin tek blerësi polic, i kamufluar si përdorues dhe shitës droge.
“Arrestimi i tyre u krye pas një investigimi disa javor, ku njëri nga agjentët e policisë kishte rënë në kontakt me “shitësit” e drogës duke u kamufluar si përdorues dhe shitës ambulant i saj. Agjenti ka kërkuar nga shtetasi Gerion Grabovaj, i cili dyshohet se është ndërmjetësi mes “agjentit” dhe shitësit Arben Sulka, që t’i sigurojë heroinë dhe hashash për konsum dhe shitje të brendshme. Studenti i juridikut, pasi ka krijuar besimin në “blerësin e kamufluar” ka takuar shtetasin Sulka, duke i kërkuar atij që t’i sigurojë 500 gram heroinë dhe 2 kg hashash për shitje tek një person i njohur. Pas sigurimit të mallit, Grabovaj ka rënë në kontakt me “agjentin” me anë të dy numrave që kishte në përdorim, duke i lënë takim në vendin e quajtur Kodër Kamzë për shkëmbimin e mallit me paratë”,- thuhet nga burimet e policisë. Kështu që, paraditen e djeshme, në momentin që pranë makinës së agjentit është afruar makina tip “Fiat Punto” me targa “AX 351 PG” me drejtues shtetasin Sulka, efektivët e policisë të veshur civilë janë bërë gati për aksion. Mësohet se në momentin që do të kryhej dorëzimi, njëri nga “shitësit” ka vënë re agjentët e policisë dhe kanë filluar të ikin me makinë, për tu ndalur pak metra më tutje nga furgoni i policisë që priste sinjalin e ndërhyrjes.
Sipas efektivëve blu, mësohet se ndaj dy të ndaluarve është ushtruar dhunë fizike pasi studenti i juridikut ka goditur një agjent të policisë i cili ishte i veshur civil gjatë kohës së ndërhyrjes për prangosjen e tyre. Ndërkohë, fotot e dërguara nga zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Policisë, duken qartë se ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike, pasi edhe për kundër tentimit të fshehjes së këtyre shenjave gjatë kryerjes së fotografimit të tyre, në foton e studentit duken qartë shenjat e ënjtura në syrin e djathtë të tij dhe në pjesën e qafës duke mos përjashtuar këtu edhe shenjat e gjakut të mbetur në bluzën e tij të bardhë. Pas arrestimit të tyre, policia sekuestroi në cilësinë provës materiale makinën e tipit “Fiat Punto” me targa “AX 351 PG” brenda së cilës ndodhej sasia e rreth 500 gramëve lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, 2 kg hashash, një pistoletë e markës “Zastava” e shoqëruar me 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 2500 euro dhe 100 mijë lekë të reja që mendohet se janë përfituar nga shitja e drogës, një peshore manuale dhe katër aparate celularë që përdoreshin nga dy të arrestuarit. Operacioni i arrestimit të tyre u kodua sipas drejtuesve të policisë me emrin “Apollon” dhe ndaj tyre janë ngritur akuzat e “Prodhimit, mbajtjes dhe shitjes të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “Kundërshtim të punonjësit të Policisë”.
ARRESTUAR:
Gerion Platon Grabovaj , 22 vjeç, lindurdhe banues në Tiranë
Arben Sefer Sulka,42 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë
U SEKUESTRUA:
rreth 500 gram lëndë narkotike e dyshuar Heroinë,
2 kg lëndë narkotike e dyshuar Hashash,
1 pistoletë e markës Zastava,
30 fishekë të kalibrit 7.62 mm,
2500 euro dhe 100.000 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
1 peshore manuale,
1 automjet tip Fiat Punto me targë AX 351 PG,
4 aparate celularë,
-------------------------------------------------------------------Vdekja e Naumit, pritet raporti i Mjekësisë Ligjore
TIRANË- Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke hartuar raportin përkatës mbi shkaqet e vdekjes së pak ditëve më parë të pacientit nga Korça, Sotiraq Naumi. Specialistë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pohuan se konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore të viktimës do të dalin brenda javës së ardhshme. Sipas këtyre burimeve, në përfundim të ekspertizës raporti do të referohet më pas për shqyrtim në organin e akuzës e cila ka hapur hetimet për shkaqet e vdekjes së pacientit nga Korça. Sipas prokurorisë, dyshohet se vdekja e Naumit, ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga bluzat e bardha të Spitalit të Korçës dhe atyre të Spitalit Ushtarak. Sipas të dhënave hetimore, Sotiraq Naumi, i cili vuante nga një sëmundje e infeksionit bakterial në gjak, ishte trajtuar në Spitalin e Korçës për infektim (helmim) deri sa gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u përkeqësuar dhe ai u transportua me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe ndërroi jetë pak ditë më parë. Për llogari të hetimeve për këtë çështje është sekuestruar edhe kartela mjekësore e këtij shtetasi. Ndërkohë që nën hetim është marrë edhe mjeku që trajtoi ketë shtetas deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.