Aksidentoi rëndë 64-vjeçarin, arrestohet autori
Shkodër- Aksidentoi rëndë një qytetar dhe u largua nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e parë. Polici e Shkodrës njofton se ka arrestuar shtetasin 44-vjeçar, Kolec Deda me banim në fshatin Grudë të komunës Rrethina.
Mbi të rëndon akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit. “Ai ka dëmtuar rëndë 64-vjeçarin Mhill Kasneci, lindur në Kasnec në Kir të Dukagjinit dhe banues në Grudë”- thanë burimet policore.
Sipas tyre, aksidenti ka ndodhur në aksin Shkodër- Grudë, në një rrugë dytësore ku mungon ndriçimi ku Kolec Deda lëvizte me një motorçikletë tip Yamaha pa targa, ndërsa i dëmtuari Mhill Kasneci lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e aksidentit, 64-vjeçari ka marrë dëmtime të shumta trupore dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Autori i aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, por pak kohë më pas është kapur nga shërbimet e policisë.