Topi: Bashkëpunim për krizën ekonomike
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi në fjalën e tij në Samitin e Ohrit ka kërkuar nga vendet anëtare të Forumit Ekonomik Rajonal të Evropës Juglindore bashkëpunim për përballimin e ndikimeve të mundshme nga kriza globale financiare, të energjisë dhe të rrezikut të rënies ekonomike.
Sipas tij, vendet tona nuk do të mund të jenë në gjendje të ecin përpara drejt rritjes së konkurueshmërinë së tyre pa ridimensionuar dhe harmonizuar më parë interesat që nxisin tejkalimin e nivelit të tanishëm të kooperimit ndërmjet tyre, me qëllim që secila ekonomi e çdo vendi, të ketë fushë më të gjërë veprimi që ia bën të mundur t’i rezistojë këtij shock–u ekonomik që po kalon bota mbarë.
Topi ka kujtuar thënien e një ekonomisti të njohur amerikan, që studioi pasojat e krizës së naftës në vitet 70-të, sipas të cilit: “Niveli i jetesës së çdo kombi me të cilin ne kryejmë shkëmbimet tona duhet të na preokupojë seriozisht.”.
Kreu is htetit shqiptar ka pranuar se në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve ka ende pengesa, që frenojnë zhvillimin e tregtisë së lirë, që nuk ua bëjnë të mundur bizneseve të vendeve tona të arrijnë maksimizimin e fitimeve të tyre, sepse konkurenca si faktor kyç që influencon çdo ditë mbi jetën e njerëzve të rajonit tonë, nuk funksionon siç duhet.
“Përpjekjet e secilit nga vendet tona për të tërhequr investimin e huaj direkt, u përfshinë në një “luftë vrasëse” të ofertave, të cilat u influencuan, gjithashtu, nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë”- tha ai.
Vitet e fundit, sipas presidentit Topi, Shqipëria ka vuajtur nga furnizimi i pasigurtë me energji elektrike që ndikoi në rritjen ekonomike, sidomos gjatë thatësirës së gjatë të vitit 2007, kur çmimet e produkteve energjitike u rritën dukshëm dhe ekonomia e vendit u përball me rritjen e kostove, me frenimin e rritjes së prodhimit dhe atë të rrjedhës së investimeve të huaja direkte.
“Pavarësisht presionit që po shkakton kriza ndërkombëtare e energjisë, Shqipëria po investon në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi, ndërkohë që për një gjë të tillë me Maqedoninë ekziston thjesht një ide, së cilës në rrethanat e tanishme i ka ardhur koha jo vetëm për përgatitjen e projektit por dhe për sigurimin e financimit të saj, me qëllim që vendet tona të bëhen pjesë të sistemit të integruar rajonal të energjisë e më tej”- tha ai, duke shtuar se në vitin 2009 Shqipëria do të investojë, gjithashtu, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, me këtë realitet tashmë jo vetëm politik por edhe ekonomik.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte përfshirja e vendet tona në proçeset e ekonomisë botërore, duke zgjeruar më tej kooperimin në kuadër të CEFTA, duke i lejuar secilit prej vendeve tona sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme, për shkak të lirisë së gjërë ekonomike që siguron kooperimi dhe specializimi në fusha të caktuara ku çdo vend i ka të gjitha mundësitë të prodhojë produktet më të mira.
Duke e konceptuar kështu rritjen e konkurueshmërinë së çdo vendi në rajon, Shqipëria, ka theksuar më tej Topi, po investon çdo vit për zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe portuale, për të siguruar për të gjitha vendet e interesuara, brenda dhe përtej kufijve të rajonit, kapacitete më të mëdha, me kosto më të ulët, që Koridorin 8-të, të do ta sillnin si një mundësi konkrete me shumë përfitime për të gjithë vendet tona.
Ai ka deklaruar se harmonizimi i interesave të çdo vendi dhe ngritja e nivelit të kooperimit ndërmjet vendeve është çmimi që kërkohet të paguajmë për të përballuar ndikimin e krizës globale dhe rënies ekonomike mbi zhvillimin e rajonit tonë.