Studimi i ISHP-së, vendi ynë rekord aksidentesh
Aksidentet rrugore po shkaktojnë çdo ditë e më shumë viktima, duke e renditur vendin tonë ndër më problematikët. Madje, mjekët e Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak, pohojnë se po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte, për shkak të aksidenteve. Ndërsa studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se ai i vendeve të Europës Lindore. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë shkaqet që sjellin aksidentet dhe masat që duhen marrë.
Aksidentet
Vendi ynë mban rekord sa i takon numrit të aksidenteve dhe kjo vërtetohet nga numri i lartë i vdekjeve dhe pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve për ndihmë mjekësore. Madje, shifrat tregojnë se numri i aksidenteve është disa herë më i lartë se i të gjithave vendeve të Evropës Lindore. Muajt e verës, sipas mjekëve të urgjencës së Traumatologjisë, janë më problematikët, sepse vijnë edhe shumë emigrantë për të kaluar pushimet. "Ndodhemi përballë shtimit të rasteve në mënyrë masive nga aksidentet me makinë. Këto aksidente po e dominojnë stinën, pasi kemi mbi 70 raste të dëmtuarish në aksidente me makinë çdo ditë", - theksoi shefi i urgjencës së Traumatologjisë, Myftar Torba, duke shtuar se spitali, pikërisht në këto ditë është i mobilizuar për të pritur fluksin e pacientëve të aksidentuar. Ndërkohë, mjekët e këtij spitali pohojnë se, nisur nga shifrat alarmante, po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte.
Masat
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, rekomandojnë marrjen e një sërë masash nga qeveria shqiptare, një detyrim ky për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, të cilat, brenda vitit 2012 duhet të reduktojnë në 50 % numrin e aksidenteve. Specialistet kanë kërkuar që të rishikohet shpejtësia e lëvizjes në qytete, por edhe jashtë saj. Një pikë e rëndësishme është jo vetëm ndërtimi i rrugëve dhe përmirësimi i atyre ekzistuese, por edhe pajisja me sinjalistikë. "Një pikë shumë e rëndësishme për parandalimin e aksidenteve është vendosja në akse qendrore apo në kryqëzime, i radarëve dhe i kamerave për kontrollin e shpejtësisë, si dhe pajisje për matjen e alkoolit", rekomandojnë specialistët e ISHP-së.
*******************************
Policia: Në korrik, dyfishohen aksidentet me vdekje
TIRANË- Numri i aksidenteve po rritet frikshëm, çdo ditë 2-3 persona mbeten të vdekur në rrugë dhe 10-ra të tjerë marrin plagë të rënda. Policia ka nxjerr sot buletinin e aksidenteve të muajtit korrik, ku thuhet se plot 48 vetë, kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë plagosur. Krahasuar me një vit më parë, numri është dyfishuar. Në korrik të 2008-ës, vdiqën nga aksidentet 25 persona dhe 33 të tjerë u plagosën.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit në komunikimin me median tha se "gjatë këtij sezoni nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria 579 540 automjete, ose 133 mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një pjesë e madhe e aksidenteve janë shënuar pikërisht nga emigrantët".
Policia e Shtetit i kërkon të gjithë drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet normat e sjelljes së Kodit Rrugor, dhe të ndërgjegjësohen për pasojat e rënda që sjell mos zbatimi i këtyre rregullave për ta, pasagjerët apo qytetarët e tjerë. Policia e Shtetit do të ndëshkojë maksimalisht të gjithë ata drejtues të automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
"Aksidentet rrugore gjate sezonit turistik dhe veçanërisht ato të ndodhura ditët e fundit, kanë krijuar një situatë shqetësuese", thotë zëdhënësi Klodian Branko. Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga policia e Rendit dhe e Forcave Lëvizëse operacionale, prej disa ditësh ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke shtuar prezencën e saj në akset rrugore.
Gjithashtu janë ngritur disa grupe Taskë Forcë, të drejtuar nga Drejtoria e Policisë Rrugore për të operuar në të gjithë territorin e vendit. I është dhënë kompetencë Patrullave të Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të operuar në fushën e qarkullimit rrugor.