Aksion kunder shitesve ambulante

Kështu ka deklaruar Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha gjatë aksionit për heqjen e shitësve ambulantë të telefonave celularë.
“Sot, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Komisariatin nr.3, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ka ndërmarrë një aksion për të eleminuar dukurinë e ambulantëve të cilët shesin në këtë zone, mallra të përdorur dhe në shumicën e rasteve, mallra me prejardhje nga veprimtari kriminale, pra të vjedhur. Ne kemi ndërmarrë hapa dhe kemi shoqëruar disa persona, për të cilët do të ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë dhe do të përgjigjen para ligjit”, vuri në dukje, Hoxha.
Po në këtë linjë, ai iu drejtua të gjithë ambulantëve të cilët tregtojnë në rrugët e Tiranës duke u kërkuar që “të ndërgjegjësohen pasi ne do të zbatojmë ligjin dhe ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, në këtë zonë dhe në zonat e tjera, në të gjithë rrugët e qytetit të Tiranës deri në eleminimin e plotë të këtyre dukurive negative”.
Aksioni në zonën pranë postës qendrore u krye në bashkëpunim më komisariatin numër 3 të kryeqytetit dhe Drejtorinë e Tatim Taksave.
Kjo zonë njihet për tregtimin informal të celularëve, kartave të telefonave, floririt dhe shumë të tjera. Gjatë këtij aksioni janë shoqëruar dhjetra persona si dhe janë konfiskuar mallrat që tregtonin.