E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion ndërkombëtar për negociatat Rama-Berisha

Ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në
Shqipëri janë angazhuar sot për të bindur palët të ulen në tryezën e
bisedimeve, pothuajse në të njëjtën orë, kryeministri Berisha dhe kreu
socialist, Edi Rama, kanë pritur në zyrë diplomatët kryesorë të akredituar në
Shqipëri. Kryeministri Berisha ka pasur një takim të gjatë me ambasadorin
spanjoll, Montobio, në cilësinë e vendit që mban presidencën e BE-së dhe
ambasadorin e komisionit evropian Lohan, ndërsa lideri i opozitës Edi Rama ka
diskutuar me ambasadorin amerikan Jon Withers. Pas takimit me ambasadorët
evropianë, Berisha duket se është detyruar të tërhiqet nga qëndrimet e tij,
shpesh fyese ndaj presidentit, por ka paragjykuar suksesin e një takimi të drejtuar
prej tij

Mero Baze*

Angazhimi i ambasadorëve të perëndimit për të
bindur palët të ulen në tryezën e bisedimeve në Tiranë, tregon distancën e
madhe të krijuar nga qeveria në Shqipëri me institucionin e presidentit dhe
kundërshtarët e tyre në opozitë.

avarësisht suksesit apo dështimit që
ambasadorët evropianë do të kenë me Berishën, bilanci i parë i qartë i
bisedimeve me të, është mospërfillja që Berisha po dëshmon për institucionin e
Presidentit.

Edhe pse Këshilli i Evropës i ka rekomanduar
qartë, që Presidenti Topi duhet të marrë rolin e negociatorit, kryeministri Berisha
jo vetëm që nuk e ka pranuar këtë sugjerim, por tashmë po harxhon energji të
reja të diplomatëve perëndimorë, për ta bindur atë të pranojë institucionin e
Presidentit.

Pas takimit me ambasadorët Berisha doli
publikisht dhe pranoi të takohej me presidentin Topi, dhe zotin Rama, por
menjëherë shpalosi paragjykimet për dështimin e tyre. I detyruar prej
ambasadorëve të Perëndimit të ulet të pranojë palët në vend, Berisha shprehu
skepticizmin për rezultatet e mundshme të këtyre tryezave, duke përsëritur dyshimet
e tij për kotësinë e këtyre takimeve.

Pra, kriza është më e thellë se sa duket, pasi
Berisha ka marrë qëndrim politik ndaj gjithkujt që ka pranuar të dëgjojë
pretendimet e opozitës. Vetëm pse presidenti Topi ishte institucioni i parë
politik në vend që pranoi krizën muaj më parë dhe shprehu gatishmërinë të
ndërmjetësonte, ai ka hyrë tani në listën e armiqve politikë të zotit Berisha.

Dhe ambasadorët e Perëndimit në vend që të
harxhojnë energjitë të pajtojnë Berishën me Ramën, po harxhojnë fillimisht energjitë
të bindin Berishën, që të pranojë Topin për ndërmjetës, të cilës në një farë
mënyre duket se ia kanë arritur qoftë dhe formalisht. Pra, klima e besimit, ajo
që është më e rëndësishmja në çdo rast për zgjidhjen e krizave, mungon
tërësisht, si mes kundërshtarëve, ashtu edhe mes një pale dhe ndërmjetësit të
mundshëm.

Berisha në këtë histori nuk pranon as
kundërshtarin dhe as ndërmjetësin. Deri më tani Berisha pranon vetëm ata
diplomatë dhe zyrtarë që pranojnë të dëgjojnë çfarë thotë ai, pa i imponuar
mendimet e tyre.

Angazhimi i ambasadorëve të Perëndimit për të
bindur Berishën të pranojë institucionet në Shqipëri, madje dhe institucione që
i ka zgjedhur vetë zoti Berisha, është një dëshmi e mungesës së thellë të
respektit për shtetin ligjor dhe institucionet demokratike në vend prej zotit
Berisha.

Sidoqoftë, presioni i fortë i diplomatëve
perëndimorë hoqi pengesën e parë, atë të refuzimit, që Berisha ka pasur për
presidentin Topi, por nuk ka hequr dyshimet për këmbënguljen e tij në minimin e
tryezës së presidentit dhe dështimin e saj.

Mënyra se si Berisha pranoi me gjysmë zëri
presionin e Perëndimit, është vazhdim me mjete të tjera, i këmbënguljes së tij
për të mos i dhënë asnjë rol presidentit në këtë krizë, qoftë dhe si ndërmjetës
mes palëve.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë
personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›