Shteti nxjerr në shitje aksionet e shoqërisë tregtare "Taulantia"
Edhe shoqëria Detare " Taulantia" do të privatizohet. Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike në Tiranë ka njoftuar shpalljen e ankandit për shitjen e paketës së aksioneve të shoqërisë "Taulantia". Kjo shitje bëhet në bazë të Urdhrit të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nr.488 dt 29. 05. 2009 "Për privatizimin e aksioneve shtetërore në agjencinë Taulantia", e cila ka kapital themelor prej 194. 414. 439 lekësh.
Sipas njoftimit, në shitje do të hidhen 51 për qind e aksioneve, duke i kaluar paketën kontrolluese, aksionerëve privatë. Vlera e paketës së saj privatizuese është rreth 1 milionë $. Kjo shoqëri ka pasur si objekt veprimtarie shitje biletash për udhëtarët, spedicione mallrash në lidhje me portin e Durrësit. Ankandi i privatizimit të saj bëhet më 22 korrik pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjeve të Pronave Publike ne Tiranë.