E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i Vetëvendosjes, Thaçi: S'do lejojmë 21 janarin e Tiranës në Prishtinë

PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaci ka reaguar sërish ashpër ndaj aksionit të Vetëvendosjes, e cila synon të bllokojë kufirin me Serbinë, më 14 janar. Sipas Thacit qeveria e Kosovës nuk do të lejojë të ndodhë në Prishtinë, 21 janari i Tiranës. Deklarata e Thacit gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ku theksoi edhe njëherë se Vetëvendosje do vetëfundoset me këtë aksion.

“Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i quaj “Vetëfundosje”, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë. Shteti i Kosovës do të funksionojë në mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor, dhe këta krerë morën përgjegjësi personale për inicimin e këtyre veprimeve të paralajmëruara të dhunshme ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës”, tha Thaci.

Gjatë intervistër Thaci theksoi gjithashtu se paralajmërimet e Vetëvendosje, përvecëse janë mesazhe të këqia, tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral.

“Paralajmërimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillime apo reagime të dhunshme për të marrë në kontroll, në mënyrë formale, kufijtë e Kosovës, janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund t’i ndodhnin Kosovës në këtë kohë, tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral. Paralajmërimet e tyre për veprime të dhunshme, janë diçka që më së paku i duhej Kosovës në këtë kohë. Nuk është në rolin opozitar, por të një grupi joformal, pa ndonjë objektivë në kuptimin e reformave, por plotësisht kundër-kushtetues, ligjor, anti-reformator. Duhet ta kuptojnë që me veprime të dhunshme nuk fitohet pushteti dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që zhvillime të tilla të pretenduara të dhunshme nga krerët e kësaj partie të jenë pamja e Republikës së Kosovës, në përmbyllje të vitit të katërt të pavarësisë”, tha Thaci më tej.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera MPJ dënon aksionin e Vetëvendosjes: Nuk i shërben Kosovës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›