E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opinioni publik, vepron apo mungon?

Ekzistojnë shumë interpretime rreth çdo problemi që gjallon jetën publike. Në diskutim bëjnë pjesë të gjithë qytetarët apo bashkimet e qytetarëve, të cilët interesohen për mirëqenien e përgjithshme dhe e shprehin publikisht këtë interesim të tyre, në formën e kritikës dhe kundërshtimit, propozimit dhe pajtimit, duke u përpjekur në këtë mënyrë të ndikojnë në formimin e vullnetit politik. Në këtë mënyrë, formohet opinioni me mendime të ndryshme për çështjet me interes të gjerë. Në thelb, kështu funksionon edhe demokracia, e cila buron nga konkurrenca e opinioneve. Në Greqinë e lashtë për shembull, opinioni publik shërbente si një kontroll social, që u hynte në punë të gjithëve e që kushtëzohej me arritjen e një konsensusi. Sokrati e quante opinionin publik “ligje te pashkruara” d.m.th ligje që falë ndikimeve psikologjike, përfilleshin nga njerëzit pa ndërhyrjen e shtetit. Më vonë, John Lokes, filozofi klasik, theksonte se opinioni publik kishte forcën më të madhe të ndëshkimit se sa e kishin ligjet e shkruara apo edhe ritualet strikte fetare në rastet e mosrespektimit të normave të tyre.
Në kuptimin e përgjithshëm, sot opinioni publik është një grumbullim qëndrimesh ose besimesh individuale të mbajtura nga individë të rritur; pra mund të përcaktohet gjithashtu si një koleksion i opinioneve të shumë njerëzve dhe shuma e të gjitha pikëpamjeve të tyre. Është e natyrshme dhe e arsyeshme të pajtohemi ose të ankohemi për nivelin, cilësinë e jetesës, por mënyra se si ankohemi, si reagojmë, si dëgjohemi dhe sa dëgjohemi është e lidhur me aftësinë tonë si qytetarë për të formuar opinion, për të gjetur mënyrën për ta shprehur atë në mënyrë të civilizuar. Forca reaguese e pushtetit ndaj opinionit të qytetarëve është e lidhur me cilësinë dhe aftësinë për të ushtruar presion për rritjen e nivelit të “reagimit pozitiv” të qeverisjes ndaj opinionit publik. Në të vërtetë, vendit tonë i mungon ky presion dhe klima e vërtetë sociale, e cila mund të stimulojë diskutimin e hapur për ndryshimin e duhur. Deri më sot nuk ka munguar mundësia e pjesëmarrjes në ambiente dhe diskutime publike, por vendimet ndaj opinionit të përgjithshëm janë marrë pas dyerve të mbyllura.
Në Shqipëri po rritet aftësia e individëve për të vlerësuar, e qytetarëve të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, të cilët përmes shkëmbimit të argumenteve dhe shprehjes së opinioneve ofrojnë mundësi të zgjidhjes së problemeve. Megjithatë ka një problem serioz, që këto diskutime në të shumtën e rasteve nuk bëhen në arena publike, por në ambiente të ngushta familjare, kafeneje apo ndërmarrjeje etj. Ekzistojnë disa momente të rëndësishme, që ky opinion të dëgjohet më shumë se kurrë dhe të mos bëhet thjesht zgjatim dhe bisht i politikave të orientuara, por t’i përgjigjet detyrës qytetare, imperativit historik, për të ndikuar në gjetjen e ekuilibrit funksionues. Ky është mision ende i paplotësuar në demokracinë shqiptare. Eksperienca e vendeve me staturë demokratike ka treguar se opinioni publik është instrument social, që ka forcë dhe mundësi të ndikojë në procesin e transformimit të njeriut në qytetar.
Nuk mund të ndihet mirë shoqëria shqiptare, që opinioni i saj publik përfaqësohet nga disa shoqata, organizata jofitimprurëse, të cilat nuk krijojnë ndryshime sociale për konsolidimin e parametrave të jetës. Në këto vite është krijuar një rrjet i gjerë i shoqatave dhe grupimeve, që ende nuk po luajnë rol në forcimin e karakterit rregullues të opinionit publik, përballë çdo veprimi joqytetar, nga kushdo qoftë. Prandaj opinioni publik në Shqipëri nuk është i gjallë, aktiv e dinamik. Madje ky publik është kultivuar të bëjë sehir, të heshtë kur shpërfillet, duke u manipuluar me mjeshtëri gjuhësore dhe lojëra verbale. Duket qartë se në tërësi, shpirti qytetar është konformist dhe klientelist, për arsye të mbijetesës. Pra, në Shqipëri opinioni publik nuk mungon, por edhe nuk vepron, për shkak sepse është i kapur pas perdes, sikurse kapet gjallesa në rrjetën e merimangës.
Në këtë situatë, njerëzit me potencial publik të shoqërisë civile, intelektualët dhe media kanë detyrën dhe mundësinë të injektojnë lubrifikantët socialë, duke krijuar mundësi për më shumë presion publik. Menaxherët e opinionit kanë dy detyra të rëndësishme: Së pari, t’iu japin mundësi qytetarëve të shprehen publikisht; së dyti, këtë grumbull opinionesh ta kthejnë në institucion paralel me institucionet vendimmarrëse. Aktualisht kemi opinion publik spontan dhe kaotik, i cili ka nevojë të kthehet në opinion qytetar të organizuar, pikërisht nga forcat elitare dhe aktiviste të saj, të cilët duhet ta kapërcejnë komunikimin e tyre interpersonal dhe t’i lënë më shumë hapësirë dhe kohë komunikimit masiv. Edhe për jetën politike, opinioni publik në Shqipëri do të kishte karakter integrues dhe do të përforconte funksionimin e të gjithë mekanizmave mes palëve për të ecur bashkërisht drejt një shoqërie në zhvillim.
Niveli i reagimit qytetar, aftësia e tyre për të pasur gjykim të mëvetësishëm dhe të pavarur është kusht dhe mjet i progresit. Vetëm në kushte të tilla mund të formohet opinioni i lirë publik dhe të sigurohet kritika, kontrolli dhe nxitja. Vetëm brenda një opinioni publik funksionues individi mund të krijojë një gjykim të argumentuar dhe të jetë i aftë të peshojë brenda dhe jashtë zgjedhjeve, rëndësinë e tij. Shoqëria pluraliste për këtë arsye njeh vetëm shumë opinione publike, zakonisht të kundërta me njëra-tjetrën. Ai që pretendon se përfaqëson opinionin e vërtetë publik dhe synon përmes kësaj t’i japë politikës një drejtim të caktuar, përhap dyshimin se përmes thënieve të tij mbi opinionin e vërtetë, në fakt synon t’u japë peshë të pamatur interesave personale. Prandaj është koha e ndarjes së madhe nga përfaqësimi i rremë, drejt një përfaqësimi të drejtë nga vetë qytetarët, të cilët kërkojnë gjithmonë mundësinë e shenjtë për t’u shprehur.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›