E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin pa konsensusin e opozitës

TIRANË- Konferenca e Kryetarëve, e cila u mblodh sot me pjesëmarrjen e krerëve të Grupeve Parlamentare, Nënkryetarëve të Kuvendit dhe Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensusin e opozitës.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare.

Në kuadër të diskutimit, Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, për të hequr nga kalendari p/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, por kur kërkesa e tij nuk u mor pasarysh, opozita braktisi konferencë.

Me shumicë votash, Konferenca vendosi që këto p/ligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komisione për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën I dhe pikën VII të vendimit të Konferencës së Kryetarëve, datë 14 nëntor 2011.

Konferenca e Kryetarëve, me shumicë votash, përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre p/ligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil.

Megjithë refuzimin e përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto p/ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi me shumicë votash kalendarin e ri të punës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›