E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i policisë, 868 gjoba në një ditë në Tiranë

Sipas policisë së Tiranës, aksioni ka për qëllim disiplinimin e qarkullimit të automjeteve . Vetëm në Tirane janë vendosur 548 masa administrative me vlerë 620 mijë lekë dhe gjoba të tjera në rrethinat e Tiranës 

TIRANE-Plot 868 gjoba të vendosura me vlerë 939 mijë lekë janë prerë vetëm në ditën e parë të aksionit të përbashkët të policisë rrugore dhe asaj të rendit, të startuar të hënën në kryeqytet. Sipas policisë së Tiranës, aksioni ka për qëllim disiplinimin e qarkullimit të automjeteve dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Vetëm në qytet janë vendosur 548 masa administrative me vlerë 620 mijë lekë dhe 320 gjoba të tjera janë vendosur nga “linjat” në rrethinat e Tiranës. Ndërkohë mësohet se janë pezulluar 8 leje drejtimi në rastet kur drejtuesit e automjeteve janë kapur me shkelje të rënda. “Veçanërisht kontrollet po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj”, - thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku theksohet se aksioni do të vijojë edhe në ditët e tjera të javës. Muaji shtator e ka përballur Tiranën me shtimin e fluksit të automjeteve si pasojë e kthimit të pushuesve nga plazhet dhe kjo është vënë re edhe në trafikun e rënduar të ditëve të fundit, në disa nga segmentet kryesore të kryeqytetit. Aksioni vjen pas një situate “të nxehtë” të muajve të verës, për shkak të aksidenteve të rënda që kanë ndodhur në këtë kohë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›