Aksioni për mosbindje civile, Shehaj: S’është zgjidhje, fjala në Kuvend është e vetmja mundësi

Deputeti i opozitës Agron Shehaj tha se opozita është në të drejtën e saj për të përdorur çdo mënyrë që të dëgjohet zëri i saj, por shtoi se nuk është dakord me aksionin e mosbindjes civile.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Shehaj tha se e vetmja mënyrë që opozita të fitojë besimin dhe votat e elektoratit është fjala dhe interpelancat në Kuvend. Sipas tij, kuvendi është i vetmi vend ku opozita mund të thotë fjalën e lirë pa e ndaluar dhe ndërhyrë askush.
“Mendoj se protesta nuk mjafton. Kuvendi është i vetmi mundësi për të folur dhe interpelancat janë instrumentet që kemi. Kuvendi është e vetmja gjë që ne kemi për t’u shprehur pa na u ndërprerë fjala. Unë mendoj që duhet një mënyrë tjetër, nuk mjafton mosbindja civile. Opozita është me shpatulla pas murit, kur kapen ministrat duke vjedhur ato as mandatin nuk humbasin. Bëhen hetime për inceneratorin dhe preken vetëm ato që PS nuk do më. Sot një përfaqësues i opozitës është në burg pse? Se tha thjeshtë se vëllai i ministrit të brendshëm i dënuar për trafik droge në Itali është i lirë, për këtë është në burg. Opozita ka çdo të drejtë të përdorë çdo mënyrë, por unë nuk jam dakord me atë formë sepse nuk mjafton. Ne nuk duhet të ndalojmë së komunikuari me elektoratin dhe të fitojmë besimin e tij duke folur në Kuvend”, tha Shehaj.
/rtsh.al/