Akti i Dubrovnikut
Hashim Thaçi dhe Boris Tadic ia kanë shtrënguar dorën njëri-tjetrit, të shtunën, gjatë punimeve të Samitit të Dubrovnikut.
Kryeministri i Kosovës dhe Lideri i opozitës serbe kanë shkëmbyer disa fjalë dhe buzëqeshje kurtuazie.
Edhe pse njerëz të afërt të dy liderëve kanë tentuar ta paraqesin këtë shtrëngim duarsh si të rastësishëm, pamjet që kanë transmetuar televizionet kroate, por edhe deklarata e ditëve të fundit të diplomatëve perëndimorë, lënë të kuptohet se ky akt simbolik ka qenë i planifikuar dhe i organizuar qysh më herët.
Në pamjet e mediave kroate, shihet se Hashim Thaçi dhe Boris Tadic shikohen me njëri-tjetrin që nga larg, derisa të dy bëjnë hapa drejt mesit të skenës ku zhvillohej samiti, ku edhe takohen, “rastësisht”.
Dëshmi se takimi s’ka qenë i rastësishëm, është edhe vetë shkuarja e ish-Presidentit serb në Dubrovnik. Qysh kur u raportua se Tadic shkon në samit, mediat serbe dhe kroate shkruan se ai do të takohet me Kryeministrin kosovar.
Për këtë takim, nuk ka folur Hashim Thaçi, derisa Boris Tadic tha se ky është një gjest i mirë në përpjekjet për zgjidhjen e problemeve.
Ai ka thënë për Tanjug se nëse nuk zgjidhen problemet, kjo mund të ndikojë keq në gjeneratat e ardhshme.
Tadic citohet të ketë thënë se politikanët janë të detyruar të zgjidhin problemet.
Lajmi për shtrëngimin e duarve mes Thaçit dhe Tadicit ka qenë lajm kryesor në portalet kroate, duke lënë në hije punimet e Samitit të Dubrovnikut.
Ngjashëm siç ka ndodhur në Kosovë dhe Serbi.
Partitë politike në Kosovë nuk e kanë pritur mirë këtë akt. Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk është dashur që Kryeministri t’ia shtrëngojë dorën ish-Presidentit serb.
“Kryeministri i Kosovës e ka detyrë kushtetuese të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit. Si Kryeministër, mund të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe të takojë zyrtarë të shteteve të tjera, por vetëm si Kryeministër i shtetit të Kosovës. Nëse zhvillon takime me zyrtarë të cilët nuk e pranojnë si Kryeministër të shtetit të Kosovës, atëherë është shkelje e Kushtetutës”, tha Gashi për RTK’në.
Në anën tjetër, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje këtë takim e vlerëson si të dëmshëm për Kosovën.
“Takimi i sotëm i Thaçit me Tadicin në Dubrovnik të Kroacisë është shenjë tjetër se kjo Qeveri është e gatshme të takohet me politikanë serbë, të cilët janë shkaktarët kryesorë që Kosova mbetet e ndarë, që i paguajnë dhe i kontrollojnë strukturat kriminale serbe në Republikën e Kosovës dhe të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë përfaqësues të politikës hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, që do të thotë se, Kryeministri Thaçi është i gatshëm të takohet edhe me Nikoliçin dhe Daçiqin për Veriun e Kosovës”, theksoi Konjufca.
Kurse, për Burim Ramadanin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ky takim duhet të shihet vetëm shtrëngim duarsh, pa efekte politike.
“Ky ka qenë vetëm shtrëngim duarsh dhe duhet të shihet si i tillë, dhe nuk mund të ketë efekte politike. Në samite rajonale apo ndërkombëtare, përshëndetjet formale mund të ndodhin, por ne nuk duam të besojmë se ka pasur më shumë se shtrëngim duarsh. Ajo që dihet është se Kosova nuk ka nevojë të fshihet prej Serbisë, sepse, ne jemi fituesit e stabilitetit rajonal”, ka thënë Ramadani.
Kurse, mandatari për formimin e Qeverisë së re serbe, Ivica Dacic ka kritikuar ish-partnerin e tij, duke thënë se me këtë akt i ka dhënë legjitimitet Hashim Thaçit.
Dacic ka thënë se Tadic atje ka qenë në vizitë private dhe se ai atje mund t’i përfaqësojë vetëm anëtarët e DS’së, pasi që më nuk ka ndonjë funksion shtetëror.
Ai ka shtuar se nga kjo po shihet se Tadic një politikë e ka udhëhequr si president, ndërsa politikë tjetër si lider i opozitës, duke theksuar se pikërisht ka qenë propozimi i DS’së që Serbia mos të marrë pjesë në takime në të cilat paraqiten edhe zyrtarët e Kosovës, që është rasti me Dubrovnikun.
Dacic ka thënë se nuk është mirë që demokratët po sillen ndryshe ndaj çështjeve shtetërore, kur janë në pushtet dhe kur janë në opozitë.
“Më këtë hap, Tadic i ka dhënë legjitimitet Thaçit, sepse ndaj tij ka dyshime që është i përzier në trafikim organesh. Për mua, hapi i Tadicit është absolutisht enigmatik”, ka thënë Dacic.