Hoxhaj: Kosova, modeli më i suksesshëm i shtetndërtimit

Në panelin e dytë të së shtunës, me temën “Shtetndërtimi në shoqëritë post-konfliktuale - Sfidat politike dhe të sigurisë”, ministri Hoxhaj ka prezantuar së bashku me ministren e Jashtme dhe të Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Vesna Pusiq, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit të Jashtëm Evropian, Pierre Vimont, përfaqësuesin e lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Valentin Inzko, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian dhe shefin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Peter Sorensen si dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë, Tornike Gordadze.
Gjatë fjalës së tij në këtë panel, ministri Hoxhaj ka prezantuar progresin e madh që është arritur në Kosovë vitet e fundit, me theks të veçantë në proceset e shtetndërtimit të brendshëm, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e agjendës euro-integruese të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj tha para të pranishmëve se Kosova ka ndërtuar një shtet nga themelet duke u shndërruar në një storie të suksesit jo vetëm të qytetarëve dhe institucioneve të saj, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare e të Bashkimit Evropian.