E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akti i fundit i trukimit të kampionatit shqiptar

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas shtyrjeve të fundit, ka hedhur poshtë kërkesën e Flamurtarit për të marrë tre pikë në tavolinë për ndeshjen me Laçin, si pasojë e dhunës së pësuar. Komisioni ka vendosur vetëm që të dënojë fushën e Laçit, ku dy ndeshjet e ardhshme do të luhen pa tifozë. Me këtë vendim, i cili ishte paralajmëruar, duke qenë se Komisioni e kishte shtyrë disa herë, i hapet rruha shpalljes kampion Skënderbeut të Korçës, që financohet nga Agim Zeqo dhe mbështetet nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Skënderbeu, dy ndeshje nga fundi, ka katër pikë më shumë se Flamurtari, por me avantazhin që ka një ndeshje shumë të lehtë në Korçë përballë Elbasanit, që është rrëzuar me kohë një kategori më poshtë dhe nuk ka asnjë motiv për të luajtur.

Komisioni i Disiplinës mund të gjejë shumë argumente, me të cilat mund ta quajë të drejtë këtë vendim. Por, është fakt se precedentë të shumta tregojnë se Flamurtarit i duhej dhënë fitorja në tavolinë, ndërsa ndeshja e Laçit duhej ndërprerë nga ana e arbitrit.

Ky vendim pritet që të ngjallë reagimin e ashpër të tifozëve të Flamurtarit, të cilët dje protestuan në Tirana para FSHF-së dhe kanë pohuar se një gjë të tillë do ta bëjnë edhe në ditët në vijim, nëse Federata vazhdon me padrejtësinë e vet.

Vendimi i Komisionit është vazhdim i një sërë vendimesh dhe favoresh të Federatës Shqiptare të Futbollit, që drejtohet nga Armando Duka, për Skënderbeun. Kjo ka bërq ë kampionati të degradojë në shkallën më të fundit dhe të cilësohet si më i turpshmi i viteve të fundit.

Futbolli shqiptar ka pësuar një goditje të rëndë dhe vështirë se do ta marrë veten pas këtij sezoni, duke qenë se një njeri pranë qeverisë me një ministër në krah, hynë në botën e futbollit dhe u sollën në mënyrë mafioze, duke e shpëtuar Skënderbeun e destinuar të binte një kategori më poshtë dhe arritën që ta shpallin atë kampion(ende nuk ka ndodhur, por kjo gjë tashmë është e sigurtë).

Natyrisht, për këtë kanë patur mbështetjen e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili në mënyrë të paprecedentë është aksioner në një kompani me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo. Kjo gjë nuk ndodh as në kampionatet afrikane, që një president i Federatës së Futbollit të jetë aksioner me një president klubi.

Armando Duka duket se tashmë e ka kthyer futbollin shqiptar në një pronë private, pasi përveçse i dhuroi kampionatin Skënderbeut, ka zaptuar edhe të drejtën televizive për kampionatin shqiptar dhe kombëtaren shqiptare, me paketën sportive në të cilën ai është aksioner.

Për më tepër që në këtë kampionat skandaloz, i cili është trukuar në mënyrë të hapur, edhe mediat kanë pasur rolin e tyre negativ, duke heshtur dhe duke u sjellë sikur është një kampionat normal. Ato duhet ta kishin denoncuar çdo ditë këtë skandal, gjë që nuk e kanë bërë.

Në këtë moment të pashpresë për futbollin shqiptar, ndoshta e vetmja rrugë shpëtimi ndoshta do të ishte ndërhyrja e UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat në fakt kanë nisur hetimet për trukime në lidhje me disa ndeshje të kampionatit. Nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë këtij kampionati nuk i mbetet gjë tjetër veçse ti themi SuperDukë dhe jo Superligë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›