Aktivi i Vlorës: 3 protesta brenda prillit
Partia Socialiste hedh hapat e parë organizativë në drejtim të protestave qytetare. Në funksion të përgatitjes dhe maksimalizimit të objektivave të saj, selia rozë ka nisur punën konkrete në bazën e partisë duke nisur nga qytete me elektorat të ndjeshëm të majtë, por edhe me rëndësi ekonomike për vendin. Kështu, një aktiv i përgjithshëm i mbajtur në Vlorë, ku janë përfshirë të 13 njësitë vendore, ka përcjellë vendimet e Asamblesë Kombëtare, të cilat janë në fakt edhe një direktivë për veprimin politik. Kështu,në përfundim të mbledhjes është vendosur organizimi brenda muajit prill i tre protestave, një prej të cilave do të gjejë vend në Orikum. Por protesta në Vlorë ka gjetur një shprehje të re të intensitetit teksa është menduar që reagimi qytetar të jetë i përditshëm për probleme të ndryshme dhe me një shpërndarje të degëzuar që pasqyron në vetvete edhe specifikën e qytetit. Kjo mënyrë organizimi, që e mban protestën si një aktivitet të pakufizuar në kohë, mund të shihet edhe si parantezë e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër, një element politik domethënës i aktivit të Vlorës ka qenë edhe pjesëmarrja dhe drejtimi i tij nga deputeti Arben Malaj, i cili njihet si një zë kritik i vijës zyrtare të drejtuar nga Edi Rama. “Unë do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të të pranishmëve lidhur me ato çfarë kam deklaruar dhe mbi ato se çfarë mendoj se si duhet ta vijojë PS-ja luftën e saj”, është shprehur Malaj. Me të njëjtën gjuhë është deklaruar edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, sekretari rajonal i degës së PS-së, Shpëtim Gjika, i cili e ka cilësuar Kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor të krizës ekonomike dhe politike në vend. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mençur të Vlorës t’u bashkohen protestave masive që do të ndërmarrë PS-ja për të zgjidhur situatën e krijuar”, ka deklaruar Gjika. Duket se protesta kundër Sali Berishës po hedh farën e një rigjallërimi të solidaritetit të socialistëve, edhe pse ndasitë mbeten ende të pranishme. Kështu, sipas burimeve nga aktivi në punimet e zhvilluara pa praninë e mediave, nuk kanë munguar debatet e ndryshme që kanë të bëjnë me situatën aktuale të PS-së.
#