E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e opozitës i kursyen Kuvendit 700 mijë USD

Ministria e Financave: Kuvendi, dobët me realizimin e investimeve

Mungesa e deputetëve të opozitës në Parlament vitin e kaluar krijoi lehtësi për buxhetin e Kuvendit, i cili kurseu 700 mijë dollarë. Për zërin “paga” gjatë vitit 2009, Kuvendi kreu rreth 391 milionë lekë shpenzime, ose rreth 85 për qind të planit. “Gjatë punimeve të Kuvendit në Legjislaturën e re, nuk kanë marrë pjesë në seancat plenare deputetët e opozitës. Këto arsye vlejnë edhe për mosrealizimin në zërin ‘Sigurime Shoqërore’, në masën 6 milionë lekë”, raporton Kuvendi në planin e vitit 2009, dërguar këto ditë në Ministri të Financave. Tjetër arsye e krijimit të rezervës lidhet me ligjin e makinave të deputetëve, të cilëve u ndërpre si shërbim në dy muajt e fundit të vitit, duke lënë pa punë 124 shoferë, vijon sqarimin Kuvendi i Shqipërisë.

Në zërin “Shpenzimet për mallra e shërbime”, mosrealizimi ka ardhur si rezultat i kthimit nga dega e Thesarit të paekzekutuara fatura furnitorësh. Nuk janë likuiduar shpenzime karburanti për deputetët pas shkurtimeve të shoferëve sipas ligjit të sipërpërmendur. Po ashtu, “nuk janë paguar shpenzime deputetësh sipas ‘statusit të deputetit’ për periudhën pa aktivitet parlamentar qershor-shtator 2009 (2009 ishte vit i zgjedhjeve elektorale). Ndërsa nuk janë prokuruar fondet për blerjen e pjesëve të këmbimit për automjete”, ishin disa nga arsyet e mosrealizimit të plotë të shpenzimeve, të përmendura nga Kuvendi.

Sipas ministrisë, niveli i realizimit të shpenzimeve në total, për vitin 2009, krahasuar me planin vjetor, arriti në rreth 68.3 për qind, ndërkohë që shpenzimet korente arritën në rreth 77.1 për qind, investimet janë në nivele shumë të ulëta, në rreth 9.1 për qind. Në total, Kuvendit i ishin lënë në buxhet për të shpenzuar rreth 1 miliard lekë, por kreu vetëm 700 milionë lekë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›