E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të dyfishohet përfaqësimi i grave

Durrës

Partia Socialiste i rikthehet tematikës sociale që lidhet me situatën e gruas në shoqërinë shqiptare. Papunësia në masë, përveç penalizimit ekonomik, rezulton të jetë edhe një kufizim shoqëror për sa kohë që dikton izolimin e plotë nga veprimtaria e përgjithshme, duke shërbyer si konservues i një mentaliteti të vjetër. Lidhur me këtë situatë, kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, u shpreh në Durrës se duhet guxim për t’u përballur me realitetin e vështirë ekonomik në vend që po i kthen gratë e vajzat në të njëjtat përballje e barrierë me ato të shekullit të kaluar. Ai ka qenë i pranishëm në një forum të hapur të grave me temë “Ne, gratë e majta dhe vizioni ynë politik”, që u zhvillua me deputetet e qarqeve Durrës dhe Tiranë mbi situatën, vlerat dhe vizionet e politikëbërjes nga gratë socialiste në nivel lokal dhe qendror. “Papunësia dhe mentalitetet ndrydhëse”, vlerësoi Rama, “janë dy fenomenet që po prekin rëndom gratë dhe vajzat në vend, duke i mbyllur brenda mureve të shtëpisë dhe vënë përballë barrierave që mendohej se ishin mbyllur me kohë”. “Këto situata, realitete na vënë para domosdoshmërisë për të reaguar si shoqëri. Gratë kanë nevojë për kurajë dhe ku më së miri mund ta marrin sesa nga shembujt e grave të nderuara që janë nëna dhe aktiviste shumë të mira”, vlerësoi Rama, duke përmendur gratë deputete të panelit. Më tej, ai tha se Partia Socialiste është e hapur ndaj dyfishimit rishtas të përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet, pasi hapi i parë për përfaqësimin në Parlament ka sjellë një ndryshim cilësor të Partisë Socialiste në organin më të lartë legjislativ në vend. Rama gjithashtu vlerësoi nismën autonome të ndërmarrë nga gratë për organizimin e këtij forumi, duke thënë se këto gra përfaqësojnë me dinjitet votuesin socialist e progresist të dy qarqeve Durrës e Tiranë, si dhe vetë gruan shqiptare në përgjithësi, duke u kthyer në një nismë produktive për të gjithë. Ndërkohë, deputetet Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Ledi Shamku dhe Klodiana Spahiu referuan mbi kuadrin ligjor, politikat aktuale në vend mbi të drejtat e grave, ato në arsim e shëndetësi, si edhe sfidat e ardhshme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›