Aktivisti kinez drejt SHBA

Aktivisti kinez Chen Guangcheng, që ka qenë në qendër të një krize diplomatike mes SHBA dhe Kinës, ka njoftuar se ndodhet në aeroportin e Pekinit, në pritje për t`u nisur drejt Amerikës.
Aktivisti i verbër i tha gazetarëve se ai nuk kishte pasaportë, por gjithësesi u shpreh i bindur se do të shkonte në Nju Jork.
Zoti Chen kaloi së fundmi gjashtë ditë në selinë e ambasadës amerikane në Pekin, pasi u arratis nga arresti i shtëpisë në veri-lindje të Kinës.
Ai kërkon të lërë vendin e tij dhe të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku i është ofruar një mundësi studimi në Universitetin e Nju Jorkut.
Zoti Chen u dërgua në spital pasi doli nga selia e ambasadës amerikane më 2 maj dhe fillimisht tha se donte të qëndronte në Kinë, por më pas ndryshoi qëndrim me argumentin se druhej për sigurinë e tij.
Atij iu ofrua një mundësi studimi për drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut, pasi Pekini zyrtar deklaroi se ai mund të aplikonte për studime jashtë vendit.
Ndërkohë, grupi amerikan i aktivistëve China Aid, që ka mbështetur disidentin, njoftoi se ishte informuar nga ky i fundit se bashkë me familjen e tij po drejtohej për në aeroport.
“Zoti Chen dhe familja e tij u njoftuan që të bënin gati plaçkat dhe të bëheshin gati për të lënë Kinën për në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi China Aid. Edhe SHBA njoftuan se vizat për zotin Chen dhe familjen e tij ishin gati.