Aktivitete në disa qytete për Ditën Ndërkombëtare të Tokës
Një sërë aktivitetesh në qytete të ndryshme të vendit janë zhvilluar dje për Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Qytete si Tirana, Korça apo Fieri i janë bashkuar me aktivitete nismës ndërkombëtare për të celebruar ditën e tokës. Në kuadër të kësaj dite, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së dhe Qendrën Eden, organizuan dje aktivitetin me temë Bashkohu me ne, jeto shëndetshëm, redukto, ripërdor, riciklo''. Në pavijonin e qelqtë në sheshin Skënderbe u ekspozuan punime artistike të fëmijëve të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit, të realizuara me materiale të ricikluara, ndërsa përmes një numri humoristik të shkurtër të improvizuar. Me anë të tij është përcjellë prej të vegjëlve dhe mesazhi ndërgjegjësues për të kontribuar në reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve për një të ardhme më të mirë.
Mbrojtja e mjedisit, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, riciklimi i një bote edhe më të gjelbër, ishin në qendër të punimeve që nxënës të shkollave 9-vjeçare ekspozuan dje në bibliotekën "Thimi Mitko", në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Nxënës nga 10 shkollat 9-vjeçare të qytetit të Korçës, paraqitën punime me mbetje të riciklueshme, si një apel, se si të mbrohet natyra, dhe se si të gjithë së bashku, mund të kontribuojnë për ruajtjen e tokës dhe mjedisit përreth. Bashkia, që mbështeti këtë aktivitet, stimuloi nxënësit më të mirë për punimet e paraqitura, duke synuar, stimulimin e të rinjve për problemet e mjedisit. Ky është viti i dytë që bashkia e Korçës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të rrethit dhe Federatën e Paqes Universale, organizojnë aktivitete me të rinjtë e qytetit në ditën Ndërkombëtare të Tokës . Dita Ndërkombëtare e Tokës është vendosur në datën 22 prill në vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret, që u quajt "Dita e Tokës". Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Tokës ka filluar të celebrohet që prej vitit 2002. Investimet për energjinë e rinovueshme për të ndaluar ndryshimet klimatike, ishte tema e përzgjedhur këtë vit për Ditën Ndërkombëtare të Tokës nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin