Letërsia, si ta bindë lexuesin sot!?
Letërsia është një formë arti, tepër personale, intime. Sot disa nga format e artit mund të bëhen edhe publike, qoftë për shembull dhe performancat e atyre që shohim në televizion. Sot, ka mundësi dhe mjete shprehëse përmes formave të ndryshme të artit. Ndërsa libri është si të flasësh, bisedosh me njëri-tjetrin, në nivel personal. Unë besoj, thellë brenda meje, që letërsia dhe të lexuarit është ajo që mund të na transformojë.
Në mënyra të ndryshme si për shembull të njohësh dikë, apo njohja me njëri-tjetrin të ndihmon të transformosh veten. Kur njerëzit nuk e japin këtë mundësi komunikimi, për të biseduar, për t’i njohur dhe për t’i transformuar këta individë – ndërhyn letërsia, një gjë që i përmbush shpirtërisht ata. Në këtë mënyrë i ndihmon të transformohen. Duke mos jua dhënë mundësinë njerëzve nuk i lëmë ata të përmbushin veten e tyre.
Ky është rreziku i kapitalizmin multinacional, që nuk dëshiron dhe nuk do që njerëzit të edukohen. Kapitalizmi mohon pjesë të asaj që është njerëzore. Por, nga ana tjetër në pjesën më të mirë të saj, feston dhe vlerëson gjërat më të mira të një individi. Ndërkohë mohon ato karakteristika, dhe individualizmin e njerëzve të tjerë që janë përfshirë në sistem. Ndërsa letërsia në formën më të mirë të saj, është kundra kësaj lloj tendence të kapitalizmit.
Në fakt letërsia është ajo që na ndihmon të shohim komunitetin, dhe njerëzit në solidaritet me njëri-tjetrin. Kështu që, për këtë arsye arti dhe kapitalizmi jo domosdoshmërish shkojnë dorë për dorë me njëri-tjetrin. Aspektet më të këqija të kapitalizmit janë totalitarizmi i majtë. E vërteta e letërsisë dhe poezisë është një aspekt i mesëm, që qëndron mes të të dyjave. Në fakt ajo feston, celebron individin, por edhe komunitetin. Dhe ndoshta letërsia e vërtetë është në një farë mënyre forma idealiste e socializmit. Rreziku për të cilin unë shqetësohem për këtë rajon si një amerikan, është përqafimi i plotë i kapitalizmit, ekonomisë së tregut. Sepse ne në Amerikë i shohim sukseset e këtij lloj sistemi por dhe dështimet e tij. Kjo është një gjë që gjithmonë duhet ta kujtojmë për SHBA-në. Ne kemi numrin më të madh të popullsisë, ose të të “dënuarve”, sepse për të gjitha liritë tona, kemi pasur dhe dështimet tona. Dështimet tona janë sistematike. Në Amerikë ne themi që njerëzit janë në burg për shkak të dështimeve të tyre për të respektuar të drejtat dhe liritë, por nga ana tjetër ato janë dështime të sistemit dhe ligjeve tona.
Në qoftë se një person është i varfër në Amerikë, nuk vlerësohet tamam si një qenie njerëzore. Dhe ne vazhdojmë të jemi përherë, në luftë të vazhdueshme për aspekte klasore. Si shkrimtar unë dhe miqtë e mi, shkruajmë dhe jemi kundër sistemit - në mënyrë që të ruajmë zërat e të gjithë njerëzve. Shpesh ndodh që letërsia të jetë dhe e korruptuar për ata që janë të talentuar, por që janë në majë të hierarkisë të letërsisë. Por, ndërkohë ka dhe zëra të tjerë që vijnë nga getot nga lagjet e varfra, dhe nga komunitetet që nuk janë të përfaqësuar si duhet, të cilët këndojnë këngët që ne kemi nevojë t’i dëgjojmë.
Box
Poeti amerikan, Sean Thomas Dougherty, prej dy ditësh është në Tiranë, për të ndarë përvojën poetike me lexuesin shqiptar, në Ditën Ndërkombëtare të Librit.
Kaosi, realiteti që i shfaqet në tregun e madh të Tiranës, ku fare pranë ka zënë hotelin, pleqtë që debatojnë të tendosur - gjithçka i duket e ngjashme me qytetin e tij, por më shumë me një botë të brendshme lirie që predikon Dougherty. Së shpejti ky poet, do të jetë më i njohur për lexuesin në nr. 14 të revistës “Poeteka”, si edhe së afërmi me botime më të plota. Shërbimi që i bëhet këtij poeti në shqip vjen nën kujdesin e poetit të njohur shqiptar, Arjan Leka që është dhe botuesi të vetmes revistë prestigjioze të poezisë në vend. Poezia e Sean Thomas Dougherty shkrin rigorozitetin e akademisë me ritmet e rrugës. Poeti S. Th. Dougherty është autori i nëntë librave dhe gjithashtu fitues i çmimit “Pinyon Press Poetry 2000”. Libri i tij i fundit, “Broken Hallelujahs” (BH), është një eksplorim i rrënjëve dhe ndikimeve të tij, duke ndërthurur format e bazuara në polka me odet e poetëve dhe muzikantëve afrikano-amerikanë e duke gjetur elementë të përbashkët në ritmet që i bashkojnë ato.