E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvlerësimi i aseteve, Edi Rama, deputetët, kreditë dhe Big Brother

Nga Bejdo MALO
Tërë media botërore që nga dje është mbizotëruar nga një raport i FMN, mbi zhvlerësimin e asteve. Impaktin më tragjik që do të japë ky efekt do të jetë mbi bankat. Shifra ishte diku tek 400 trilionë dollarë. Por fakti më shokues tek ky parashikim ishte shtyrja e kohëzgjatjes së krizës botërore. Më saktë tërë fondet e dhëna nga shteti në ndihmë të bankave dhe koncorsiumeve të mëdha nuk do të jepnin rezultatin e pritur. Në Shqipëri zhvlerësimi i aseteve ka më shumë se një vit që ka nisur. Procesi shqiptar është shumë më tronditës së ai botëror. Në Shqipëri astet janë supervlerësuar dhe kjo krizë do të ketë dy faza. Faza e parë do të jetë zbritja e vlerës së aseteve në kuotën e tyre reale dhe pastaj do të fillojë zhvlerësimi i vërtetë i aseteve. Supermashtrimi me mbivlerësimin e asteve e ka zanafillën tek fajdetë e vitit 1997 dhe çuditërisht fenomeni i shpikur nga  Alimuça dhe kompani u përvetësua nga bankat. Nga një kontroll i përciptë që u është bërë garancive bankare për disa nga kreditë e mëdha të dhëna nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri në tre muajt e fundit rezultatet kanë qenë dëshpëruese. Garancia bankare kryesisht ajo hipotekare në të gjitha rastet nuk e ka mbuluar kredinë e dhënë nga bankat.  Me letrat që janë dorëzuar në banka vlera e asetit ka qenë realisht një milionë euro në letra është shënuar pesë milionë euro dhe është marrë kredi tre milionë euro. Ka me dhjetëra raste në banka të këtij lloji. Fenomeni është bërë prezent dhe pothuajse në të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë zbarkuar nga bankat mëma ekspertë që po kryejnë hetime. Është shpejt të flasim me emra konkretë por në Tiranë për shumë biznese  të mëdha  ka filluar të qarkullojë fenomeni i asfiksisë. Bankat kanë tkurrur kreditë dhe në këto kushte ato kanë humbur aftësinë për të paguar këstet bankare. Fenomeni i këngëtares së famshme serbe Ceca gruas së famëkeqit Arkan duket se është dhe fenomen shqiptar. Por ajo  që na shqetëson më shumë është zhvlerësimi i tërë jetës sociale ekonomike dhe shpirtërore të shqiptarëve në këtë prag fushate.
Sa i zhvleftësuar është fenomeni Rama
Ka muaj që pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se mungon opozita në Shqipëri.  Kjo është aq e vërtetë sa një në dy bashkëbisedues e fillon bashkëbisedimin në kafe me fjalët : Ky vend nuk ka opozitë. Do të thoni ti je demokrat dhe çtë duhet opozita.  Opozita është si gruaja Një e keqe e domosdoshme që i duhet patjetër demokracisë.  Fjalën e kishim tek konstatimi i mungesës totale të opozitës. I  hidhur por i vërtetë. Kur një prej një prej zyrtarëve të rangut të mesëm militant i socialistëve por i punësuar në administratën e zotit Sali Berisha i tha këtë konstatim në një darkë tek restorant Piro Lala në Lushnjë ai e mbrojti lidershipin rozë në të  zbardhëllyer duke thënë se: Është shumë punëtor. Çohet që në orën 05:00 të mëngjesit kur nuk i vjen makina merr taksi dhe kontrollon pusetat e Tiranës. Përgjigja ka brenda tërë dhimbjen e zhvlerësimit të opozitës shqiptare dhe më gjerë. Së pari edhe të çohet në ora 05:00 lidershipi rozë në të  zbardhëllyer për të mbërritur tek kontrolli i kapakëve të pusetave i duhet gati një orë të mbërrijë. Ku Shani dhe ku Bagdati. Ku Peza dhe ku kapakët e pusetave tek ura e Lanës.   Për të ardhur në Tiranë ai duhet të kapërcejë së pari dy standardet që po ndërton në kurriz të këtij kryeqyteti.  Edhe në ndonjë lulishte që po ndërton po jep leje kioskash. Edhe gjendjen e mjeruar të rrugës së Pezës dhe sidomos të varrezave të dëshmorëve të Pezës ku ai ka zgjedhur të bëjë gjumin e perëndisë. Kaq të vërteta janë këto sa hidhini një sy varrezave të dëshmorëve të Pezës që ndodhen rrëzë shtëpisë së kryetarit do të mbeteni pa gojë. Së dyti dhe ato dy tre lulishteve që po ndërton duke filluar nga Kombinati dhe duke përfunduar tek kapaku i pusetave në Lanë po u mbjell në mes nga dy tre kioska nga ato famëkeqet që mezi i  çrrënjosi opozita dhe pozita në vitin 2000. Zhvlerësimin edhe Gramos Ruçit edhe Edi Ramës së pari ua ka bërë lideri i tyre tradicional Fatos Nano. Ai u ka dhënë leksionin më jetë gjatë. Ngjarja ka ndodhur vetëm dhjetë ditë para se të majtët të kumbisnin mandatin e 2005. Zhvillohej mbledhja finale e KPD. Fatos Nano i thotë Gramos Ruçit: Vazhdo mbledhjen sa të pi një kafe dhe të pi një cigare këtu jashtë.  Gramozi si profan që është vazhdoi mbledhjen. U nxehën diskutimet. Gramozi nuk u jepte leje anëtarëve të nderuar për ujët e hollë. Kaluan 5 orë dhe Fatos Nano nuk po shfaqej në derë. Gramozi e kishte marrë disa herë në telefon dhe në fillim i kishte thënë se ja erdha pastaj papritur telefoni ishte mbyllur. Pas 5 orësh Gramozi e merr në telefon dhe shokohet nga ajo që dëgjon. Unë sapo zbrita në Vjenë i tha zoti Nano. Çështë kjo hata tha Gramozi. Unë kam 5 orë që i mbaj mbyllur. Mirë ke bërë por ti nuk ke kuptuar një gjë i përgjigjet zoti Nano. Ata nuk kanë asnjë vlerë dhe këtë meritojnë. Pak a shumë një gjë e tillë i kishte ndodhur zotit Gramos dhe me mbledhjen e KPD të paradisa ditëve por kësaj here me kryetar Edi Ramën. Doli për kafe i biri botës dhe pas katër orësh e mori në telefon nga Puka. A do komente ky zhvlerësim. Aq të zhvlerësuar janë tërë të majtët sa  në debat e sipër një prej deputetëve binjakë të Tepelënës tha: O zot sa herë mblidhemi si grup parlamentar i PS të gjithë pa përjashtim diskutojnë për Lloto- sport dhe për kumar.  A ka zhvlerësim më të madh se sa ky. Por ajo që është më trishtuese se të gjithë deputetet e majtë dhe të partive të vogla është në tjetër konstatim. Ata kanë marrë nga një palo kredi sa për të justifikuar blerjet e shtëpive të pronave dhe të makinave të tyre luksoze.  Të gjithë deputetët shqiptarë janë kreditorë në banka. Të gjithë kanë mashtruar nga pakëz fare me garancitë e tyre bankare. Bankat janë vënë prej ditësh në alarm dhe  pështymat e para kanë rënë mbi oficerët e kredisë. Shumë nga deputetët i kanë zënë ethet e gushtit dhe janë gati me çdo lloj çmimi që të përfshihen në listat e 13 majit  2009, vetëm e vetëm se ka rënë ora e zhvlerësimit të kredive dhe të aseteve. Dikush më tha se: Qaju hallin kalorësve se u varen këmbët. Edhe kjo ka të vërtetë brenda. Por kush e di se si do shkojmë ne në zgjedhje  më 28 qershor me kaq zhvlerësime. Zinxhiri i zhvlerësimeve është aq i madh sa e ke të vështirë ti gjesh fillin. Së pari zhvlerësimin më të madh e kanë pasur mediat. Na i zhvleftësuan apo i zhvleftësuam ka pakë rëndësi. Kontributi është i përbashkët. Pastaj u zhvleftësuan partitë. Zhvleftësimi domino nuk ka të ndalur. Aq i madh është zhvlerësimi sa janë hedhur të gjithë ata që dinë të shkruajnë në sulm. Sulm dhe baltë pa fund mbi fytyrat e kujtdo. Ata që prodhonin pa hesap baltë dhe llum blu para disa vitesh tani prodhojnë baltë dhe llum rozë dhe o burra pa asnjë lloj kriteri e hedhin mbi fytyrat e njeri tjetrit llum dhe baltë. U zhvlerësua fjala, dhe vlera e saj. U zhvlerësua shoqëria dhe roli i saj. FMN-ja, po i bie borive. Veshët tanë janë plotësisht të mbyllur nga dylli i zhvleftësimit. Çfarëdo që të thuash çfarëdo që të konstatosh, çfarëdo të dëgjosh mos u bëj merak se është e zhvleftësuar. Më mirë shiko Big Brother dhe kur ka reklama shko e bli bukë dhe domate. Deri tani e bëjnë shumë vetë. Me fundi do të pyesni se çfarë do të bëhet me Shqipërinë. Për ironi të fatit më kujtohet drama e të sëmurit me SIDA. Një i sëmurë me SIDA, kishte  një mik shumë të ngushtë doktor dhe në konfidencë i thotë hallin. U drodh e u përdrodh i shkreti doktor dhe i tha: Nuk ke shpëtim. Po aman o doktor të kam mikun më të ngushtë ska ndonjë shans. Për ti shpërblyer këmbënguljen mjeku befas i  tha: Po ka një shpëtim. Rrofsh o doktor i tha i sëmuri, ma thuaj. Do të shkosh në Durrës dhe ditën e parë do ti mbulosh këmbët me rërë deri tek kyçi i këmbës. Do vazhdosh ditë për ditë nga dy gisht dhe nga dy gisht deri sa të shkosh tek gryka. Po pastaj do shërohem?- i tha i sëmuri. Për tu shëruar një mtë madh, por të mësohesh me dheun që tani, ju përgjigj mjeku.

Last Updated on Thursday, 23 April 2009 13:16

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›