E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktivitete të shumta para publikut të paktë

21/04/2009  Java kulturore në Kosovë

Ambienti kulturor në Kosovë, pavarësisht sfidave të shumta nga më të ndryshmet me të cilat përballet, herë-herë ngjallë optimizëm, se në horizont duken simptome për ditë më të mira të kulturës gjithmbarshme. Ditëve të fundit është vërejtur një intensifikim më i madh, me aktivitete dhe evenimente nga më të ndryshmet pothuajse në të gjitha qendrat e Republikës së Kosovës, që është dukuri e pazakontë, por pavarësisht iniciativave të shumta skena e gjithmbarshme kulturore edhe më tej mbetet e varfër.

Nga ngjarjet që shënuan javën e fundit e që vlejnë të veçohen ishin simpoziumi dyditor “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumentet arkivore”, “Java e bibliotekës në Kosovë 2009” dhe festivali i parë i monodramës “Monoakt 2009”.

Edhe pse shumë të rëndësishme, këto ngjarje nuk kanë arritur të mbledhin rreth vetes numër të dëshiruar shikuesish apo mysafirësh.

Pa dyshim që vëmendja e artdashësve është përqendruar te konkursi i QKK-së (Qendrës Kinematografike të Kosovës), që këto ditë pritet të bëjë publik emrat e projekteve (skenarëve) fituese në tri kategori: atë për film artistik të metrazhit gjatë, film të shkurt artistik dhe film dokumentar. Në këtë konkurs, në dallim nga viti i kaluar, që kishte pak skenarë, këtë vit kanë konkurruar një numër i madh sosh, madje të tillë skenarë që mbajnë firmën e emrave më të njohur të kinematografisë në Kosovë, siç janë Isa Qosja, Fadil Hysaj, Ekrem Kryeziu, Agim Sopi etj. Edhe pse shuma e mjeteve të akorduara këtë vit shënon ngritje (400 mijë euro) në krahasim me vitin e kaluar, që ishte 300 mijë euro, artistët në përgjithësi e veçmas drejtuesit e shtëpive filmike, që pretendojnë të jenë fitues, shprehin skepticizmin e tyre për mundësinë e realizimit projekteve me ato mjete. Ndërkaq drejtuesit e QKK-së kanë specifikuar se edhe shtëpitë filmike duhet të jenë pjesëmarrës me mjete vetjake për realizim. Filmi “Kukumi” i regjisorit Isa Qosja, i realizuar në vitin 2006, edhe pse është mbështetur me rreth 700 mijë euro, thuhet se ende nuk ka paguar të gjitha ‘alimentacionet’ ndaj artistëve. Ndërkohë projekti tjetër kinematografik “Gomarët e kufirit”, që është fitues i konkursit të vitit të kaluar, ka rifilluar me sukses xhirimet këto ditë dhe pritet që së shpejti të përfundojë me to, por thembra e Akilit edhe për këtë projekt me gjasë do të jetë faza e posproduksionit, që kërkon pothuajse edhe aq mjete.

Me gjithë këto sfida të shumta, komuniteti artistik dhe mbarë opinioni kosovar me padurim pret filmin belg të vëllezërve Dardane “Heshtja e Lornës”, fitues i një çmimi në festivalin e Kanës vitin e kaluar. Ky interesim mbretëron për shkakun se në këtë film njërin nga rolet kryesore (atë të Lornes) e ka luajtur aktorja kosovare Arta Dobroshi, e cila ishte e nominuar për çmimin “Aktorja më e mirë” e festivalit krahas yjeve të kinematografisë botërore, si Angelina Joly etj.

Simpoziumi shkencor “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumentet arkivore”

Gjatë ditës së fundit të simpoziumi “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumentet arkivore”, që është mbajtur me moton “Ta shkruash historinë me tolerancë”, me kumtesat e tyre janë prezantuar studiues të shumtë, ku veçohet referati i historianit turk Nuri Kostuklu “Raporti i Alfred Rustem Beut para luftës ballkanike për gjendjen në Vilajetin e Kosovës dhe të Shkodrës”, pastaj referati i Jusuf Bajraktarit “Roli i Qyprilinjve në Perandorinë Osmane”, si dhe referati me temën “Çështja e sigurisë publike në Vilajetin e Kosovës” nga Mucize Unlu. Historianët shqiptarë dhe turq janë pajtuar se shumëçka duhet të rishikohet në kapitujt e historiografisë shqiptare në raport me Perandorinë Osmane. Simpoziumi është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA). Në kuadër të kësaj ngjarjeje është hapur edhe një ekspozitë me dokumente e fotografi të gjetura nëpër arkivat osmane të Turqisë. Kumtesat e lexuara në këtë simpozium do të botohen së shpejti në tri gjuhë: shqipe, angleze dhe turke.

Festivali i monodramës “Monoakt 2009”

Festivali “Monoakt” është i pari festival i këtij lloji në Kosovë. I konceptuar dhe ideuar që t’i gjasojë “teatrit lëvizës”, është paraparë që të realizohet në disa qendra të Kosovës. Në kuadër të festivalit janë përfshirë disa shfaqje që vijnë nga vende të ndryshme mysafire, si Italia, Gjermania, Rumania, Maqedoni, Shqipëria dhe Kosova, që do të prezantohet me dy shfaqje. Në ditën e parë të festivalit, në qytetin e Pejës është prezantuar shfaqja “Dora që nuk kafshon” nga Italia me regji të Dardana Berdynajt, kurse ditën e dytë në qytetin e Mitrovicës është inskenuar “Sonte duhet të jem e guximshme” nga Maqedonia, tekst ky i Jacklyn Bassanelli, sipas motiveve të kryeveprës “Antigona” të Sofokliut dhe me regji të Bagryana Popovit dhe interpretim të aktores Ilina Chorevska. Në ditën e tretë në teatrin “Dodona” në Prishtinë janë prezantuar dy shfaqje nga Kosova. Festivali u mbyll dje me natën finale në qytetin e Pejës, ku në program ishin dy shfaqje: “Lady Capuletti” me regji të Novena Mitevës dhe monodrama “Legjenda e pianistit” e Alessandro Borico, me regji e lojë të Dritan Boriçit dhe Gent Rushit (pianist) nga Shqipëria, ndërkohë që po dje mbyllja e festivalit u shënua edhe me ndarjen e çmimeve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›